Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media

20.04.2021

Sot, Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media, nën drejtimin e kryetares Doarsa Kica - Xhelili, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2020.

Kryetarja Kica - Xhelili bëri të ditur se në këtë mbledhje do të raportojnë përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media, të cilët do të shpalosin Raportin vjetor të punës për vitin 2020, raport ky, i cili shqyrton vetëm çështjet e performancës së KPM-së. 

Kryetarja Kica - Xhelili shprehu gatishmërinë e plotë të bashkëpunimit në të mirë të interesit publik.

“Shpreh gatishmërinë time të plotë, që ne të bashkëpunojmë dhe t’i trajtojmë të gjitha çështjet, që ju i konsideroni lëndë vitale për të fuqizuar tutje punën e komisionit”, theksoi Xhelili.

Kryetari i KPM-së, Xhevat Latifi, para komisionit shkoqiti pjesë nga Raporti vjetor i vitit 2020 për institucionin që përfaqëson. Latifi shpalosi vështirësitë me të cilat KPM-ja është përballur gjatë kësaj periudhe. Ai ndër tjera theksoi se disa nga objektivat e këtij institucioni nuk janë përmbushur dhe kanë kaluar në vitin 2021. 

Në vazhdim, deputetët pjesëmarrës parashtruan pyetjet e tyre duke marrë përgjigjet nga ana e përfaqësuesve të KPM-së.

Pas shterjes së debatit dhe paraqitjes së opinioneve lidhur me këtë raport, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime shtesë rreth raportit. Rrjedhimisht, me pesë vota kundër dhe dy abstenime, komisioni nuk e miratoi Raportin e KPM-së për vitin 2020, deri në plotësimet e radhës.