Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

19.05.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e Saranda Bogujevcit, nënkryetare, mbajti seancë të rregullt plenare, e cila filloi me një minutë heshtje për të rënët në masakrën e burgut të Dubravës, të kryer nga forcat serbe në vitin 1999.

Kurse, pas shterimit të dy pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin nr.08/L-074 për Turizmin, të cilin e paraqiti dhe e arsyetoi kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Edhe në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Ferat Shala, e përkrahu miratimin e këtij projektligji.

Shala, vlerësoi se ky projektligj e lehtëson gamën e përgjithshme e të bërit biznes në fushën e turizimit, si dhe krijon kushte dhe atëmosferë më të mirë turistike për sektorin turistik të vendit dhe për bashkëpunimin rajonal. 

Edhe Grupi Parlamentar i LVV-së, nëpërmjet deputetit Driton Hyseni, i dha mbështetje miratimit të këtij projektligji. 

Hyseni, tha se ky projektligj ka për qëllim bazë të caktojë parimet, standardet dhe rregullat bazë për zhvillimin dhe promovimin e qëndrueshëm të turizmit në Republikën e Kosovës, me të cilin, ndër të tjera pritet të rritët edhe numri i turistëve.

Më pas, Kuvendi miratoi në lexim të dytë edhe Projektligjin nr.08/L-113 për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilin e paraqiti dhe e arsyetoi kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha.

Berisha, edhe në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, e përkrahu miratimin e këtij projektligji.

Mbështetje miratimit të këtij projektligji në emër Grupit Parlamentar të LVV-së, i dha deputeti Enver Dugolli. 

“Ky projektligj formëson strukturën dhe përgjegjësitë në raport me ndiejshmërinë dhe me misionin, duke vendosur mekanizma sigurues karshi kërcënimeve dhe devijimeve të ndryshme që mund të vijnë si brenda FSK-së, ashtu edhe jashtë saj”, tha Dugolli.

Më pas, deputeti Hisen Berisha, në emër të Grupit Parlametar të PDK-së, i dha mbështetje miratimit të këtij projektligji. 

Berisha, vlerësoi se vlera përmbajtësore e këtij projektligji është në nivelin e standardeve të ushtrive bashkëkohore. 

Edhe Grupi Parlamentar i LDK-së, nëpërmjet deputetit Anton Quni, e përkrahu miratimin e këtij projektiligji.

Ai, tha se Grupi Parlamentar i LDK-së në kuadër të komisioneve i ka dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e nevojshme lidhur me këtë projektligj.

Po ashtu, në emër të Grupit Parlamentar Multietnik, mbështetje miratimit të këtij projektligji i dha deputeti Erxhan Galushi.

Seanca vazhdoi punimet me miratimin në lexim të parë të Projektligjin nr. 08/L-133 për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilin e paraqiti dhe e arsyetoi kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha. 

Berisha, tha se ky projektligj është nismë legjislative e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, me të cilin mundësohet themelimi i institucionit të Komisionerit Parlamentar për FSK-në, që do të ndikojë në ushtrimin e kontrollit civil dhe demokratik ndaj FSK-së. 

Në vazhdim, në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së, deputetja Shqipe Mehmeti- Selimi, i dha mbështetje miratimit të këtij projektligji, e cila tha se pozita dhe roli institucional i Komisionerit Parlamentar ndihmon dukshëm në fuqizimin e kontrollit demokratik dhe civil ndaj FSK-së, dhe adresimin e çdo rasti që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të personelit të FSK-së. 

Tutje, qëndrimin e Grupit Parlamentar të PDK-së, e dha deputeti Hysen Berisha, i cili pasi përgëzoi për punën e bërë ndër vite lidhur me këtë projektligj, theksoi se tani më ky institucion do ta ketë avokatin mbrojtës.

“Ata që janë brenda do ta kenë një avokat mbrojtës, i cili do t’i mbrojë të drejtat e tyre për zhvillimin e karrierës dhe për avancim”, tha Berisha.

Nismës legjislative për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë, në emër të Grupit Parlamentar i LDK-së, mbështetje i dha deputeti Anton Quni. 

Ai, po ashtu shprehu falënderimet e tij për të gjithë ata që kanë punuar që nga Legjislatura e IV për jetësimin e këtij projektligji. 

Në këtë kontekst, Quni paraqiti një kronologji të zhvillimeve lidhur me këtë nismë legjislative. 

Edhe deputeti Erxhan Galushi, në emër të Grupit Parlamentar Multietnik e përkrahu këtë projektligj. 

“Duke e parë rëndësinë e këtij projektligji, si dhe evitimin e çfarëdo shkelje të të drejtave brenda FSK-së, e shohin jashtëzakonisht të rëndësishëm këtë nismë, prandaj e përkrahim”, tha Galushi.