Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

23.06.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, vijoi punimet me pikat e mbetura nga seanca e djeshme.

Në fillim të seancës, kryetari Konjufca njoftoi se do të hidhen përsëri në votim projektligjet të cilat dje nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Kështu, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për markat tregtare dhe Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, u miratuan nga ana e deputetëve.

Tutje, shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, iu shtrua një diskutimi të gjerë në Kuvend.

Në cilësi të iniciuesit të këtij projektligji, deputeti Bekim Haxhiu kërkoi nga deputetët ta votojnë këtë projektligj, duke e konsideruar atë si shumë të nevojshëm për qytetarët e Kosovës.

“Ky projektligj është i domosdoshëm, sepse qytetarët kanë nevojë për shkak të situatës, krizës ekonomike dhe ngritjes së çmimeve”, theksoi Haxhiu.

Në emër të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryetari Armend Muja deklaroi se komisioni të cilin ai e udhëheq nuk e mbështetë miratimin e projektligjit për fondet pensionale.

Të njëjtin mendim kishte edhe deputetja Mimoza Kusari - Lila, e cila fjalën e mori në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas deputetes Kusari – Lila, këto fonde të pensionimit nuk janë të destinuara për lehtësim të gjendjes së tashme ekonomike.

“Tërheqja e mjeteve të Trustit ka për të lënë pasoja të cilat nuk po merren seriozisht nga propozuesit dhe nuk po e marrin vëmendjen e duhur në diskursin publik”, tha kryetarja e GP të LVV-së, duke e bërë të qartë se grupi që ajo përfaqëson nuk e mbështet miratimin e këtij projektligji.

Në anën tjetër, deputeti Memli Krasniqi, në emër të GP të Partisë Demokratike të Kosovës, u shpreh se qytetarët ekskluzivisht janë duke e kërkuar mundësimin e tërheqjes së mjeteve të Trustit.

“E di që kur je deputet i shumicës nuk është e lehtë, unë kam qenë disa herë. Unë ju ftoj të jeni deputetë të qytetarëve. Ju ftoj të guxoni e ta votoni Trustin, sepse qytetarët sot kanë nevojë për votën tuaj”, bëri thirrje Krasniqi.

E njëjta kërkesë u shtrua edhe nga deputeti Besian Mustafa, i cili nga foltorja iu adresua Kuvendit në emër të GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, inflacioni ka arritur në 12.5%, duke bërë që çmimet e artikujve ushqimorë të shkojnë deri në 83% rritje, andaj e vetmja alternativë, sic tha ai, është ajo e Trustit.

“Nga dembelia e juaj ka mbetur vetëm ky opsion, ai i tërheqjes së Trustit”, theksoi Mustafa.

Tutje, në emër të GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Pal Lekaj tha se qytetarët janë duke e pritur miratimin e Trustit, me shpresë dhe ankth.

“Kjo ditë është e veçantë, sepse janë duke e pritur të gjithë qytetarët. Ata po presin t’i marrin mjetet që i kanë në llogaritë e veta”, shtoi Lekaj.

Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë adresimit të tij, kryeministri Kurti bëri edhe njëherë të qartë se ky projektligj nuk duhet as të diskutohet, e aq më pak të kalojë.

“Duke rrënuar sistemin pensional ne nuk e ndihmojmë askënd. Nuk mund ta dëmtojmë Trustin për probleme të tanishme, sepse rrezikojmë të mbesim pa të. E di që ky projektligj nuk kalon, por nuk do të duhej as të diskutohet”, theksoi kryeministri Kurti.

Në këtë pikë të diskutimit, seanca u drejtua nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, e cila fjalën ia dha Ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ministri Murati gjithashtu shpalosi disa fakte, të cilat sipas tij tregojnë pse projektligji për Trustin nuk duhet votuar.

“Ne si Qeveri e kemi dhënë mendimin tonë pse kjo çështje nuk duhet të shkojë tutje, sepse shkatërrohet një institucion, e shkatërrohet edhe e ardhmja e pensionistëve”, deklaroi Murati.

Pas një debati të gjatë, projektligji u hodh në votim, mirëpo me vetëm 44 deputetë që votuan për, ndërsa 57 kundër, nuk u miratua nga ana e Kuvendit.

Pas këtij rezultati, deputetët nga radhët e opozitës lëshuan sallën, megjithatë seanca vazhdoi punimet me pikat e radhës.

Kështu Kuvendi miratoi Projektligjin për pyjet, të cilin e prezantoi minstri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Më pas, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paraqiti para deputetëve Projektligjin për zbatimin e sanksioneve financiare të shenjestruara. Ajo tha se ky projektligj është i dobishëm, sepse i mundëson Kosovës të parandalojë sulmet terroriste. Projektligji në fjalë pasi u hodh në votim, u miratua.

Ministri Liburn Aliu prezantoi Projektligjin për për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me ç’rast tha se ky projektligj është hartuar në konsultim me ekspertët e fushës, andaj edhe duhet miratuar.

Mbështetje në emër të Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim i dha edhe kryetarja Fitore Pacolli, e cila e cilësoi si shumë të rëndësishëm. Edhe ky projektligj u miratua nga ana e Kuvendit.

Armend Muja e mori fjalën si nënkryetar i komisioint, për të prezantuar më detajisht kërkesën Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike për zgjatjen e mandatit.

“Kërkesa bëhet për shkak të fushës komplekse dhe komisionit i duhet kohë shtesë”, u shpreh deputeti Muja.

Kjo kërkesë gjeti mbështetjen e deputetëve dhe si e tillë u miratua.

Pika e radhës e cila u shqyrtua ishte kërkesa për miratim të buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike. Kërkesa u mbështet me votë nga deputetët.

Të njëjtën kërkesë pati edhe Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovë. Kërkesë kjo e cila u parashtrua nga deputetja Jeta Statovci, në cilësinë e anëtarës së këtij komisioni. Edhe kjo kërkesë mori votat e mjaftueshme të deputetëve.  

Deputetët e pranishëm në sallë njëzëri emëruan edhe kryetarin dhe katër anëtarë të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo u bë pasi fjalën mori edhe kryeministri Albin Kurti, i cili shpjegoi procesin e intervistimit të kandidatëve.

Për pikat e radhës të rendit të ditës, kryetari Konjufca njoftoi se do të ishte më korrekte të shqyrtohen atëherë kur do të jenë prezentë edhe deputetët e grupeve të tjera parlamentare.

Në këto rrethana, sipas kryetarit Konjufca, këto pika duhet trajtuar në ditët në vazhdim. Me kaq seanca mbylli punimet për sot.