Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga takimi i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë

20.05.2022

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i drejtuar nga Ferat Shala, kryetar, mbajti takim me përfaqësuesit e lartë të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, në të cilën u diskutua rreth performancës së përgjithshme të Kosovës në fushën e energjisë elektrike në raport me kërkesat e Komunitetit të Energjisë.

Për të diskutuar lidhur me temën në fjalë, të ftuar para komisionit ishin përfaqësuesit e Sekretariarit të Komunitetit të Energjisë: Artur Lorkowski, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Buchle, zëvendësdrejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe Arben Kllokoqi, ekspert i energjisë elektrike.

Kryetari Shala falënderoi përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e ofruar lidhur me harmonizimin dhe avancimin e legjislacionit, si dhe informoi ata, për punën dhe aktivitetet, për të arriturat në fushën e energjisë, por edhe me sfidat me të cilat po përballet vendi në këtë sektor. 

Në vazhdën e bashkëpunimit ndërmjet Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe shtetit të Kosovës, kryetari Shala, takimin e para pak ditësh të Plenumit Parlamentar, mbajtur në Bruksel, e vlerësoi lartë, duke e cilësuar atë, si takim mjaf të suksesshëm.

“Ne tani jemi në një krizë të përgjithshme globale dhe po përballemi me sfida të reja në sektorin e energjisë. Si institucione parlamentare, jemi jashtëzakonisht të interesuar që të shtojmë bashkëpunimin me gjithë partnerët tanë, në mënyrë që sfidat e përbashkëta evropiane në këtë sektor t’i kalojmë bashkërisht”, theksoi Shala.

Nga ana e përfaqësueseve Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, drejtor i Sekretariatit të këtij komuniteti vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit, duke e fokusuar diskutimin e tij në dy parime. 

Sipas tij, rëndësi të madhe në këtë mes ka zhvillimi i tregjeve të integruara evropiane si dhe procesi i dekarbonizimit. 

Ai po ashtu, në diskutimin e tij, foli edhe për rëndësinë e energjisë së ripërtrishme, përfitimin e saj, si dhe mundësinë e eliminimit të dioksidit të karbonit.

Në këtë takim, me diskutimet e tyre kontriboun edhe deputetët e tjerë pjesëmarrës në komision duke bashkëbiseduar me drejtorin e sekretariatit të këtij komuniteti rreth mundësive për bashkëpunime potenciale në sferën e energjisë dhe rritjes së mëtutjeshme të performancës në këtë sektor.