Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga takimi i Komisionit për Punë të Jashtme me delegacionin nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar 

02.12.2022

Komisioni për Punë të Jashtme dhe  Diasporë, nën kryesimin e  kryetarit Haki Abazi, priti sot një  delegacion të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. 

Në fillim të takimit, kryetari i komisionit Abazi, pasi falënderoi parlamentarët anglez për vizitën, vuri në spikamë marrëdhëniet miqësore të të dyja vendeve, dhe shprehu bindjen se ato do të vijojnë dhe fuqizohen edhe më shumë në të ardhmen. 

Kryetari Abazi, rëndësi dhe falënderim të veçantë ndaj mysafirëve dhe shtetit që ata përfaqësojnë tregoi edhe për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin e vendit, si dhe ndihmën e  ofruar gjatë fazës së shtetëformimit të Kosovës.  

Duke folur për prioritet e politikës së jashtme, kryetari Abazi nënvizoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO, si dhe në  organizatat e tjera ndërkombëtare, siç janë: UNESKO dhe INTERPOL. 

Për të qenë edhe më të suksesshëm në përpjekjet integruese të vendit tonë, Abazi, si dhe nënkryetari i Komisionit, Xhavit Haliti, kërkuan që mbështetja dhe bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar të thellohen edhe më tej, veçanërisht, në fushën e  ekonomisë, tregtisë dhe turizmit. 

Përfaqësuesi i delegacionit të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Mathew Offord, ndërkaq, pasi falënderoi nikoqirët për vizitën, u zotua se zëri i tyre do  të jetë përherë në favor të çështjes dhe aspiratave të Kosovës.  

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan se shkëmbimi i përvojave ndërmjet të dyja parlamenteve është i mirëseardhur, dhe u angazhuan që ky bashkëpunim të thellohet dhe zgjerohet edhe më tej në të gjitha fushat.