Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare të 15 shtatorit

23.09.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës nën kryesimin e Glauk Konjufcës, kryetar, mbajti sot vazhdimin e seancës së 15 shtatorit 2022.

Pas debatit parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), e cila filloi më 15 shtator dhe vazhdoi të enjten (22 shtator), kryetari Konjufca e hodhi në votim rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së.

Në votim morën pjesë 67 deputetë, për rezolutën votuan 22 deputetë, 39 votuan kundër, dhe 6 prej tyre abstenuan.

Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Arsyetimin dhe prezantimin e këtij projektligji e bëri ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se me këtë projektligj parashihet të shuhen dy agjenci, Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore dhe Agjencia për Efiçiencë të Energjisë. 

Ministri Sveçla kërkoi nga deputetët që reformimin e administratës ta konsiderojnë si prioritet shtetëror. 

Deputetët e pozitës dhe opozitës patën mendime të ndryshme në lidhje me këtë projektligj, ndërsa në mungesë të kourumit nuk u hodh fare në votim.

Tutje, Kuvendi shqyrtoi në lexim të parë Projektligjin nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Arsyetimin për ndryshimin e projektligjit, në cilësi të propozuesit e bëri deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj. 

“Kërkojmë largimin e nenit diskriminues që parasheh që secili kandidat që shkon në pension kontributdhënës duhet t’i ketë së paku 15 vjet para 1 janarit 1999”, tha deputeti Dreshaj.

Ndërkaq, Fatmire Kollçaku, kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, tha se e kanë shqyrtuar këtë projektligj dhe Komisioni ka vendosur që Kuvendit t’i paraqes rekomandimin që mos të miratohet në parim.

Sipas saj, kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe skemave sociale.

Në debat kontribuan edhe deputetët e grupeve parlamentare, të cilën dhanë mendimet e tyre në lidhje me këtë projektligj.

Pas përfundimit të diskutimeve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca konstatoi se nuk ka deputetë të mjaftueshëm për të vazhduar seanca. 

Kryetari Konjufca vendosi që votimi i Projektligjit nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe pikat e mbetura të seancës së 15 shtatorit të shtyhen për javën e ardhshme.