Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare e Kuvendit

02.02.2023
Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga nënkryetarja Saranda Bugujevci, e më pas nga kryetari Glauk Konjufca, mbajti sot seancën plenare të radhës.
 
Në mungesë të kuorumit, raundi i dytë i votimit për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, votimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021, kalojnë për votim në njërën nga seancat e radhës.
 
Tutje, për të prezantuar Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë, me nr.17/121 të datës 25.01.2023, u deklarua, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, e cila duke kërkuar nga deputetët që ta miratojnë këtë vendim, ndër të tjera theksoi se nga vendimi në fjalë, qytetarëve të Kosovës u janë kursyer miliona euro.
 
Në lidhje me këtë vendim, në cilësinë e përfaqësueses së Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, u deklarua nënkryetarja e këtij komisioni, Jeta Statovci, e cila tha se pas shqyrtimit, komisioni rekomandoi miratimin e këtij vendimi në Kuvend.
 
Më pas, në emër të GP i LVV, foli po ashtu deputetja Jeta Statovci, e cila duke u deklaruar pro vendimit të Qeverisë, Statovci tha se gjendja në të cilën është Kosova, është rezultat i mos investimeve në këtë sektor në vitet e kaluara dhe se me këtë vendim të Qeverisë, me anë të subvencionimit, Kosova është ndër vendet me çmimet më të lira të energjisë elektrike në rajon dhe botë.
 
Ndërkaq, nga GP i PDK-së, u deklarua deputeti Ferat Shala, i cili tha se marrja e një vendimi të tillë është e patolerueshme, e pamoralshme dhe joligjore, meqenëse, siç tha ai, mjetet janë të taksapaguesve.
 
Ndërsa, nga GP i LDK-së, fjalën e mori Besian Mustafa, i cili duke u deklaruar kundër këtij vendimi, potencoi se kriza me energji elektrike nuk tejkalohet me mbylljen e blloqeve të KEK-ut dhe duke e rritur importin për të furnizuar qytetarët me energji elektrike.
 
Nga GP i AAK-së, u deklarua deputeti Pal Lekaj, i cili tha se kërkesa për shpalljen emergjente për mungesë të emergjisë elektrike është bërë me vonesë, dhe se si i tillë, ky vendim nuk shkon në favor të zgjidhjes së problemit.
 
Më pas, pas diskutimeve të deputetëve të tjerë mbi vendimin e lartcekur, në mungesë kuorumit, kjo pikë kalon për votim në njërën nga seancat pasuese.
 
Tutje, për të prezantuar Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, u deklarua sërish ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila duke kërkuar nga deputetët që ta votojnë këtë raport, ndër të tjera tha se në bazë të gjetjeve, humbjet financiare kanë qenë 2.67 milionë euro, për dallim nga viti 2019, në të cilin ka pasur humbje 15 milionë euro.
 
Ndërkaq, nga Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, u deklarua kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala. Ai tha se komisioni, pas shqyrtimit të këtij raporti, i rekomandoi seancën miratimin e tij. 
 
Nga GP i LVV-së, u paraqit deputeti Driton Hyseni, i cili tha se tiparet e stagnimit të dërmarrjeve publike vërehen edhe në raportin e vitit 2020 dhe se në shenjë reflektimi të nevojës së plotë për menaxhimin e ndërmarrjeve, 
rekomandoi që të votohet kundër këtij raporti.
 
Më pas, nga GP i LDK-së, fjalën e mori Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila tha se raportet e ndërmarrjeve publike nuk kanë ndryshuar pothuajse fare në aspektin e performancës pozitive, prandaj Bunjaku-Rexhepi u deklarua kundër votimit të këtij raporti.
 
Nga GP i PDK-së, u deklarua deputeti Ferat Shala, i cili duke iu referuar performancës së dobët të ndërmarrjeve publike, bazuar në raportin e auditorit, ai tha se GP që ai përfaqëson nuk do të marrë pjesë në këtë votim.
 
Pas hedhjes në votim të Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, në mungesë të kuorumit, votimi i këtij raporti kalon në njërën nga seancat pasuese.
Tutje, në lidhje me shqyrtimin e dytë i Projektligjit për tubime publike, për të prezantuar qëndrimin e Komisionit për çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, u deklarua deputeti Rashit Qalaj, i cili tha se pas shqyrtimit të tij, komisioni rekomandon miratimin e këtij projektligji, bashkë me 16 amandamentet e propozuara.
 
Më pas, me tu hedhur në votim, me 64 vota për, Kuvendi e miratoi këtë projektligj. 
 
Sa i përket shqyrtimit të dytë të Projektligjit për sigurinë kibernetike, për të prezantuar qëndimin e Komisionit Komision për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, për miratimin e këtij projektligji, fjalën e mori deputeti Mefail Bajqinovci. 
 
Pas hedhjes në votim, me 66 vota për, Kuvendi e miratoi Projektligjin për sigurinë kibernetike.
 
Tutje, për të prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit energjinë, u deklarua ministrja Artane Rizvanolli, e cila gjithashtu ftoi deputetët që ta mbështesin këtë projektligj.
 
Nga Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, u deklarua sërish Ferat Shala, i cili tha se komisioni ka rekomanduar miratimin e tij.
 
Më pas, nga GP i LVV-së, u paraqit deputetja Mimoza Kusari, e cila u deklarua pro miratimit të projektligjit. I njejti u kundërshtua nga GP i PDK-së nëpërmjet deputetit Ferat Shala dhe nga GP i LDK-së, nëpërmjet deputetes Valentina Bunjaku-Rexhepi.
 
Në mungesë të kuorimit, edhe kjo pikë kalon në votim në njërën nga seancat e radhës.
 
Tutje, për të prezantuar Projektligjin kinematografinë, u deklarua ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për këtë projektligj, ndër të tjera ai tha se duke e fuqizuar tutje potencialin e këtij sektori, niveli i mbështetjes publike për bërjen e filmave do të ngritet për 80%, ndërsa për filmbërësit mbështetja do të ngritet në 100%.
 
Ndërkaq nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, për të prezantuar qëndrimin e këtij komisioni, fjalën e mori kryetari Ardian Gola, i cili tha se projektligji në fjalë i plotëson të gjitha kushtet për të marrë miratimin e deputetëve.
 
Në emer të GP të LVV-së, u deklarua deputetja Ardiana Matoshi, e cila duke kërkuar votat e deputetëve në favor të këtij projektligji, paraqiti edhe qëndrimin pro tij të grupit të saj parlamentar. 
 
Nga GP i PDK-së, fjalën e mori deputetja Eliza Hoxha, e cila tha se mbështetjen për këtë projektligj do ta japë vetëm në emer të saj dhe jo në emër të grupit. 
 
Me 62 vota për, Kuvendi miratoi Projektligjin për kinematografinë.
 
Më pas, për të prezantuar Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, fjalën e mori ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. Ajo tha se miratimi i këtij ligji është me interes të veçantë për zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë në Kosovë.
 
Nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, u deklarua Ardian Gola, i cili tha se pas shqyrtimit të këtij projektligji, i njejti rekomandohet të votohet nga ana e deputetëve.
 
Nga GP i LVV-së, fjalën e mori sërish Ardian Gola, i cili u deklarua pro votimit të këtij projektligji.
 
Nga GP i PDK-së, deputetja Eliza Hoxha, e cila tha se përkundër rëndësisë së madhe të cilën e ka në sektorin e arsimit, ky projektligj nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së. Në emër të GP Multietnik, fjalën e mori Enis Kervan, i cili u deklarua pro miratimit të këtij projektligji. 
 
Në mungesë të kuorumit, votimi i këtij projektligji, si dhe shqyrtimi i pikave të mbetura për këtë rend dite, kalojnë për njërën nga seancat pasuese.