Kuvendi i Republikës së Kosovës

Takimi virtual i Grupit të Miqësisë Kosovë-Kanada me grupin homolog të parlamentit kanadez

02.02.2023

Grupi i Miqësisë Kanada-Kosovë i Kuvendit të Kosovës, drejtuar nga kryetarja Mimoza Kusari-Lila zhvilloi një takimin virtual me grupin homolog nga Parlamenti i Kanadasë, udhëhequr nga kryetarja Anita Vandenbeld, në të cilin diskutoi lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetë tjerë nga Kuvendi i Kosovës, si dhe nga Parlamenti i Kanadasë.

Kryetarja Kusari-Lila, duke falënderuar homologët kanadezë për interesimin e tyre për situatën e sigurisë dhe zgjidhjen finale të çështjes së Kosovës, para tyre paraqiti një përmbledhje lidhur të zhvillimeve të fundit, duke u fokusuar te ngjarjet e ndodhura në veri të vendit.

Po ashtu, sa i përket katër komunave në pjesën veriore, lëvizjes së lirë, barrikadave dhe grupeve kriminale, Kusari-Lila tha se kjo gjendje përbën një kërcënim serioz për sigurinë, e që sipas saj, kjo situatë e prodhuar është e nxitur nga Serbia përmes strukturave të saj. Ajo foli edhe për marrëveshjet, angazhimin e BE-së dhe Amerikës në arritjen e një marrëveshjeje finale për normalizim të marrëdhënieve.

Nga ana e Parlamentit kanadez, kryetarja Anita Vandenbeld, duke u shprehur e lumtur për takimin ndërmjet parlamenteve, u interesua të dinte më shumë lidhur me situatën e sigurisë dhe mundësinë e ofrimit të ndihmës nga institucioni që ajo përfaqëson, si dhe nga shteti i Kanadës. Ajo po ashtu duke u thirrur në vlerat e demokracisë, ofroi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën, duke rikonfirmuar përkushtimin për të forcuar më tej bashkëpunimin parlamentar dhe ndërshtetëror midis Kosovës dhe Kanadasë.

Gjithashtu, në këtë mbledhje ligjënësit e dy parlamenteve homologe kontribuuan me diskutimet e tyre përmbajtjesore në frymën e bashkëpunimit dhe avancimit të tij.