Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt dëgjim publik për Projektligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

23.09.2022

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, drejtuar nga Adnan Rrustemi, kryetar, mbajti dëgjim publik për Projektligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në dëgjim publik, e pranishme ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetrore dhe të shoqërisë civile.

Fillimisht, ministrja Haxhiu ka thënë se Ministria e Drejtësisë është e hapur për të gjitha diskutimet, të cilat edhe në të kaluarën u kanë ndihmuar të përgatitin këtë projektligj, por edhe që t’i bëjnë pastaj ndryshimet e nevojshme. 

Ajo ka thënë se qëllimi i këtij projektligji është luftimi i korrupsionit dhe kthimi i paras publike në raste kur është fituar në mënyrë të kundërligjshme, e jo shkelja e të drejtave të qytetarëve.

Haxhiu po ashtu, ka theksuar se ideja është që të hartohet një ligj i mirë, i zbatueshëm, e jo që ai të keqpërdoret në çfardo forme.

Ministrja Haxhiu ka thënë se gjatë trajtimit në grup punues në kuadër të Komisionit për Legjislacion… do të adresohen të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në vazhdim, deputeti Adnan Rrustemi, ka theksuar se duke u bazuar nga fakti se Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka dërguar për opinion në Komisionin e Venecias këtë projektligj, tani është krijuar një situatë e re.

“ E kemi opinionin, i kemi shumë qarta dhe të orientuara synimet tona, për të vazhduar tutje me këtë politikë të re, drejt përmbushjes së njërit prej zotimeve tona, se pasuria e cila nuk mund të justifikohet do t’i kthehet shtetit, do t’u kthehet qytetarëve”, ka thënë Rrustemi. 

Në këtë kontekst, ai ka thënë se edhe ky dëgjim publik është në funksion të diskutimit të këtij projektligji në raport me opinionin e Komisionit të Venecias dhe amendamenteve të propozuara.

Po ashtu, Rrustemi ka theksuar se me qellim të adresimit të rekomandimeve të opinionit të Komisionit të Venecias, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, kanë analizuar dhe kanë hartuar propozim amendamente për këtë projektligj, të cilat do të trajtohen në grupin punues. 

Lidhur me këtë projektligj, edhe deputeti Dimal Basha si dhe pjesëmarrësit tjerë në këtë dëgjim publik, kanë kontribuar me diskutimet e tyre.

Në përmyllje, deputeti Adnan Rrustemi, iu ka bërë thirrje përfaqësuesve të shoqërisë civile që t’i dërgojnë me shkrim komentet e tyre, si dhe të bëhen pjesë e grupit punues për shqyrtimin e këtij projektligji. 

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.