Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt takimi ndërmjet grupeve të Miqësisë Kosovë-Izrael

23.05.2022

Sot u mbajt takimi “online” ndërmjet grupeve të Miqësisë Kosovë-Izrael, përkatësisht ndërmjet kryetarëve të këtyre grupeve, Avdullah Hoti nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Ali Salalha nga Parlamenti i Izraelit. 

Në këtë takim, pjesëmarrës ishin edhe ambasadoret e vendeve, Tamara Ziv, ambasadore e Izraelit për Republikën e Kosovës dhe Ines Demiri, ambasadore e Republikës së Kosovës në Izrael. 

Deputeti Hoti fillimisht e falënderoi Salalha për takimin e sotëm dhe parashtroi disa kërkesa që kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. 

Temat e diskutimit ishin thellimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve, me fokus të veçantë marrëveshjet e mundshme që mund të arrihen për zhvillim ekonomik të ndërsjellë dhe lehtësirat që mund të krijohen për lëvizje të lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Disa nga kërkesat e Hoti ishin: Marrëveshje e mundshme për tregti të lirë, marrëveshje e mundshme për eliminim të tatimit të dyfishtë, marrëveshje e mundshme për lëvizje pa viza për qytetarët e të dyja vendeve, marrëveshje e mundshme për punësim sezonal në Izrael.

Nga ana e tij, Salalha u shpreh i gatshëm për të shtyer përpara marrëveshjet e lartëpërmendura dhe për të gjitha çështjet e mundshme që thellojnë më tutje bashkëpunimin ndërmjet vendeve. 

Palët u pajntuan që së shpejti të aranzhojnë takime të ndërsjella, të vazhdojnë bashkëpunimin, të shtyejnë përpara dhe t’i ndihmojnë qeveritë e tyre lidhur me marrëveshjet e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.