Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca takoi mërgatën shqiptare në Uashington

31.03.2023

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka zhvilluar një takim me mërgatën shqiptare në Uashington, biznesmenë, profesionistë dhe aktivistë të shoqërisë civile.
 
Në takimin e realizuar në Ambasadën e Kosovës i pranishëm ishte edhe ish-ambasadori William Walker, i cili inkurajoi Kosovën të vazhdojë rrugën e reformave dhe modernizimit të shoqërisë së saj. 
 
Në adresimin e tij para bashkatdhetarëve, kryetari Glauk Konjufca foli për situatën aktuale në Kosovë dhe për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u ndalur në rëndësinë e zhvillimit të ekonomisë dhe të investimeve, si dhe nevojën për të punuar për integrimin e Kosovës në familjen e BE-së.
 
Kryetari i Kuvendit vlerësoi lart përpjekjet dhe ndihmën e diasporës kosovare dhe ritheksoi se institucionet e Kosovës janë të hapura për të dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e tyre në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Kryetari Konjufca konfirmoi se dyert e investimeve në vendlindjen e tyre janë të hapura sot më shumë se kurdoherë më parë.
 
Gjatë bashkëbisedimit me bashkatdhetarë u diskutua gjithashtu për proceset aktuale në Kosovë dhe për sfidat e ardhshme, si dhe për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe SHBA-së, duke përfshirë ekonominë, arsimin, kulturën dhe sigurinë. 
 
Bashkatdhetarët u shprehën se kanë shumë interes dhe dëshirë për të ndihmuar në zhvillimin e Kosovës, veçanërisht në fushat e arsimit dhe zhvillimit ekonomik.