Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare

04.11.2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, vijoi sot punimet e seancës plenare, të ndërprerë të enjten, duke shqyrtuar pikën e tetë, përkatësisht propozimin e gjashtë deputetëve nga GP i PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. 

Seanca filloi me diskutimin e deputetes Eliza Hoxha në emër të deputetëve nënshkrues, e cila arsyetoi thirrjen e kësaj seance, foli me tone kritike lidhur me disa aspekte të politikave redaksionale të mediumit publik. Ajo tha se RTK-ja dështoi t’u qëndrojë besnike parimeve themelore të gazetarisë e ligjshmërisë për të verifikuar faktet dhe cituar burime të besueshme të lajmeve që i transmeton.

Deputetja Hoxha tha se lajmet e rreme në RTK të cilat citonim një medium boshnjak, përbëjnë, sipas saj, cenim të sigurisë dhe jetës së gazetarëve nga njëra anë dhe shpërfaqin në anën tjetër fushatën qeveritare kundër mediave dhe fjalës së lirë, si vlerë kushtetues e demokratike e shtetit dhe shoqërisë sonë. Ajo shtoi se pas gjithë kësaj situate RTK-ja nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik, nëse nuk merren masa ndaj drejtuesve të saj.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, njëherësh deputet nga radhët e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, tha se transmetuesi publik nuk është kapur nga partia në pushtet, por siç theksoi ai, është ç’kapur nga Partia Demokratike e Kosovës. 

Kërkesën për shkarkimin e bordit të RTK-së, Ramadani e konsideroi të pasinqertë, duke vlerësuar se nëpërmjet saj po tentohet të shkarkohen ata që kanë dhënë dorëheqje. 

Ai tha se po të kishte opozitë serioze dhe po të ishin prej së vërteti shqetësimet e ngritura nga opozitarët për Bordin e RTK-së, ky diskutim nuk do të mbahej fare.

Sipas tij, kërkesa e opozitarëve erdhi për një lajm që RTK e shpërndau nga një medium i huaj që hedh dyshimet mbi financat e disa mediumeve në Kosovë. 

Deputetit Ramadani shtoi se që transparenca financiare dhe pronësia e medieve në Kosovë përbën problematikë të theksuar dhe këtë, sipas tij, e ka thënë edhe Raporti i Progresit i BE-së i publikuar kohët e fundit. 

Dyshimet mbi financimin e medieve, sipas tij, nuk janë “fake neës”, por janë shqetësim real. Ai shtoi se në këtë kohë kur në Evropë, Rusia po bën luftë reale dhe hibride, ne nuk kemi luksin të jemi demokratik në financimin me origjinë ruse ose serbe. 

Ndërkaq, Arben Gashi nga radhët e GP të LDK-së tha se partia në pushtet e ka shkatërruar besimin ndaj radiotelevizionit publik dhe për rrjedhojë, siç tha ai, partia që ia përfaqëson ka marrë vendim që të mos marrin pjesë në debate dhe emisione të RTK-së. 

Sipas tij, RTK-ja dështoi të ofrojë shërbimin e vet si institucion publik, dhënien e lajmit dhe programacionit në interes publik. Duke pasur parasysh se ky institucion është institucion publik dhe ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik, pra është pronë e qytetarëve të Kosovës, sipas kryetarit të GP të LDK-së, do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve të Kosovës. 

Në emër të deputetëve të GP të AAK-së, Pal Lekaj tha se duhet të shkarkohet Bordi i RTK-së dhe se sipas tij, asnjëherë transmetuesi publik nuk ka qenë më i kontrolluar. Sipas tij partia në pushtet shkarkoi padrejtësisht bordin e RTK-së në vitin 2021. Deputeti Lekaj potencoi se RTK-ja kurrë nuk ka qenë më e dobët dhe më e më e kontrolluar nga politika dhe po ashtu shtoi se kurrë raportet e auditimit nuk e kanë nxjerr më keq RTK-në se tani. 

Seanca vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë, ndërsa në mungesë të kuorumit u ndërprenë punimet për ditën e sotme.