Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

21.11.2023

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, drejtuar nga kryetari Bekë Berisha, shqyrtoi sot Projektligjin për mbrojtje nga zjarri. Me këtë rast, pas miratimit në parim, lidhur me këtë projektligj u formua edhe grupi i punës. 

Komisioni po ashtu shqyrtoi edhe Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024, nga fushëveprimi i Komisionit. Lidhur me këtë Komisioni u dakordua që të mbajnë sërish një takim tjetër gjatë javës së ardhshme. 

Në këtë mbledhje po ashtu u shqyrtuan edhe një sërë çështjesh dhe projektligjesh që bien në fushëveprim të Komisionit, si dhe u diskutua nga përfaqësues të grupeve punuese ecuria e procesit të punës në amendamentimin e projektligjeve. Me theks të veçantë, një diskutim i gjerë u zhvillua edhe rreth Projektligjit për Agjencinë e Sigurisë dhe Mbrojtjes, pas prezantimit të kryetarit të grupit punues, Enver Dugolli.