Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Legjislacion¦ ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik

18.03.2015

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, sot ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, ka paraqitur raportin me të gjetura në lidhje me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Ajo ka thënë se vetëm Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë bashkëpunuar në zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Haxhiu, po ashtu ka thënë se nenet 12 dhe 13 konsiderohen si dispozitat me më së shumti ngecje në zbatim. Sipas saj, disa prej zyrtarëve e zbatojnë dhe disa jo pasi ka paqartësi.
Ndërkaq, nënkryetari i këtij komisioni, Hajdar Beqa, ka thënë se institucionet janë duke e pritur Agjencinë kundër Korrupcionit që të përgatit një rregullore model që ka të bëj me parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Duke u ndërlidhur në këtë debat, prokurori Besim Kelmendi, ka shfaqur mendimin e tij, se zyrtarët të cilët angazhohen në ndonjë punë shtesë brenda orarit të punës të mos paguhen fare për atë angazhim.
Nga Agjencia kundër Korrupsionit është thënë se shumica nga të gjeturat e këtij raporti tashmë janë trajtuar.
Po ashtu është thënë se Agjencia kundër Korrupsionit ka kontaktuar me shumicën e institucioneve, të cilave u është rekomanduar që ta caktojnë nga një person që merrët me parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Kurse, Florim Shefqeti nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ka kërkuar që të ketë koordonim më të mirë për çështje si kjo, dhe për ligje të tjera.
Në fund të këtij dëgjimi publik, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se të gjeturat në këtë raport, bazuar edhe në këtë debat do të rishikohen para se të dërgohen për votim në një nga seancat e radhës.