Organet dhe trupat e punës

 

Kryetari

 

Kryetari i Kuvendit ka rol të veçantë si udhëheqës dhe përfaqësuesi më i lartë i Kuvendit. Kryetari përfaqëson Kuvendin, e propozon rendin e ditës së mbledhjeve të Kuvendit, i thërret dhe i kryeson mbledhjet, i nënshkruan aktet e miratuara nga Kuvendi, kujdeset për rend e rregull në mbledhje dhe ushtron funksione të tjera, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kryetari e bën interpretimin përfundimtar të Rregullores gjatë mbledhjes plenare.

Kryetari i kryeson takimet e Kryesisë dhe e udhëheq punën e saj.

Kryetari, i shoqëruar nga një nënkryetar, drejton seancat plenare të Kuvendit nga tavolina e kryetarit të Kuvendit, bazuar në rendin e ditës. Kryetari i hap dhe i mbyll diskutimet, ua jep fjalën deputetëve, Kryeministrit dhe ministrave, si dhe administron votimin në seancën plenare.  

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, për një mandat të plotë (katërvjeçar) të Kuvendit.

Në rast të mungesës së tij ose me kërkesë të tij, kryetarin e Kuvendit e zëvendëson njëri nga nënkryetarët.

Kryetari i Kuvendit, në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e ushtron funksionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, deri në gjashtë muaj, nëse Presidenti përkohësisht nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat kushtetuese.

 

Kryesia e Kuvendit

 

Kryesia e Kuvendit të Kosovës planifikon dhe organizon punën e Kuvendit.

Ajo përbëhet nga kryetari dhe pesë nënkryetarë, të cilët përfaqësojnë tri grupet më të mëdha parlamentare në Kuvend dhe komunitetet pakicë.

Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen nga Kuvendi, me shumicën e votave të deputetëve, me propozim të grupeve parlamentare.

Kryesia ka detyra të rëndësishme, që ndërlidhen me punën e përditshme të Kuvendit. Ajo i procedon dokumentet e punës që i vijnë Kuvendit (raporte, projektligje, rekomandime nga komisionet etj.) dhe i vendos ato në rendin e ditës së seancës plenare, apo ua cakton komisioneve për shqyrtim.

Kryesia e përgatit Programin e punës së Kuvendit. Ajo e rishikon dhe e përgatit rendin e ditës së mbledhjeve të radhës së Kuvendit me pëlqimin e grupeve parlamentare për formën dhe për kohëzgjatjen e diskutimeve për një çështje të caktuar të punës.

Kryesia takohet së paku tri ditë para mbledhjes së ardhshme të Kuvendit, për ta shqyrtuar dhe për ta përgatitur rendin e ditës të mbledhjes së radhës së Kuvendit.

Kryesia zhvillon marrëdhënie të jashtme parlamentare dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare nga fusha e përgjegjësive të saj. Kryesia shqyrton kërkesat dhe vendos për udhëtimet jashtë vendit të delegacioneve e të deputetëve për ta përfaqësuar Kuvendin.

Kryesia e Kuvendit e zgjedh sekretarin e Kuvendit në bazë të konkursit. Kryesia e miraton projektbuxhetin e Kuvendit, që përgatitet nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, në bashkëpunim me administratën e Kuvendit.

Vendimet e Kryesisë merren me konsensus, por në mungesë të konsensusit vendoset me shumicë votash të atyre që votojnë. Në rast të votave të barabarta, vendos vota e Kryetarit.

Kryesia vepron si organ kolektiv gjatë bashkërendimit të punës së Kuvendit. Ajo zakonisht takohet një herë në javë për të planifikuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme. Në këto takime të Kryesisë, caktohet seanca plenare e radhës dhe përcaktohet rendi i saj i ditës. Kryesia i konsulton grupet parlamentare për të gjitha këto detyra të bashkërendimit.

 

Komisionet parlamentare

 

Komisionet janë organe punuese të Kuvendit dhe shumica e tyre i mbulojnë ministritë korresponduese në qeveri.

Secili komision përbëhet prej 9 deri 12 deputetë, që i përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare në Kuvend. Prandaj, komisionet mund të shihen edhe si “seanca të vogla plenare” të Kuvendit, që e përgatisin punën e seancës plenare të Kuvendit.

Komisionet e Kuvendit të Kosovës, duhet të takohen së paku dy herë në muaj, por shumica e tyre, takohen çdo javë. Takimet e tyre zakonisht janë të hapura për publikun.

Në fillim të legjislaturës, Kuvendi, me propozim të Kryesisë, përcakton numrin dhe përbërjen e komisioneve parlamentare. Gjatë legjislaturave numri i komisioneve ka qenë i ndryshëm.

Katër komisionet e përhershme: Komisioni për Legjislacion, Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për Integrime Evropiane dhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, e bëjnë rishikimin e të gjitha projektligjeve që vijnë në Kuvend, për t’u siguruar që ato i plotësojnë kriteret e caktuara.

Komisionet funksionale e kanë nga një e më shumë fusha specifike të punës. Ato i mbulojnë fushat ministrive përkatëse, që kanë të bëjnë me jetën e përditshme siç janë shëndetësia, arsimi, ekonomia, transporti, mirëqenia sociale, pushteti lokal dhe media.

Kuvendi mund ta formojë një komision ad hoc, që e ka autoritetin e komisionit funksional.

Mbledhjet e komisioneve të Kuvendit të Republikës së Kosovës përkthehen në mënyrë simultane në gjuhën shqipe dhe serbe.

Komisionet i shqyrtojnë projektligjet dhe i paraqesin rekomandimet dhe arsyetimin e tyre për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare. Shumica e projektligjeve propozohen nga Qeveria në Kuvend. Në një proces që mbulon disa hapa dhe përfshin disa komisione, projektligji kontrollohet në mënyrë të thukët dhe ndryshim-plotësimet i propozohen seancës plenare për miratim.

Komisionet gjithashtu e mbikëqyrin punën e ministrive të tyre përkatëse të linjës. Një aspekt i rëndësishëm i kësaj është mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve ekzistuese.

Si organe kryesore punuese të Kuvendit, komisionet i shqyrtojnë në mënyrë të detajuar projektligjet dhe raportet që dorëzohen në Kuvend. Me qëllim që të kenë pikëpamje të informuara mirë, komisionet mbështeten në ekspertizën e jashtme dhe mendimet e grupeve të rëndësishme të shoqërisë. Këto dëshmi nga jashtë ofrohen nga ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile. Për të mbledhë dëshmi të tilla, komisionet mbajnë dëgjime publike për tema specifike, të cilat i kanë në shqyrtim.

Secili komision udhëhiqet nga kryetari dhe dy zëvendëskryetarë. Në mungesë të kryetarit, mbledhjet mund të thirren nga zëvendëskryetari i parë apo i dytë.

Komisioni merr vendimet me shumicën e votave të anëtarëve të tij.

 

Grupet parlamentare

 

Deputetët e listës së të njëjtës parti, zakonisht mblidhen së bashku, për të formuar një grup parlamentar. Disa të drejta dhe funksione të rëndësishme mund të ushtrohen vetëm kolektivisht përmes grupit parlamentar.

Deputeti ka të drejtë të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në një grup parlamentar, të tërhiqet nga grupi, ta formojë një grup të ri parlamentar, t’i bashkëngjitet një grupi tjetër ose të veprojë si deputet i pavarur.

Për krijimin e një grupi parlamentar nevojiten 5 për qind e deputetëve të Kuvendit ose së paku gjashtë deputetë. Në rastet kur numri i deputetëve, i anëtarëve të një grupi

parlamentar, bie nën këtë minimum, grupi nuk ekziston më. Një deputet nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një grupi parlamentar.

Kuvendi mund të formojë grupe joformale të deputetëve. Aktualisht ekzistojnë dy grupe të tilla: Grupi i Grave Deputete dhe Grupi i Deputetëve të Rinj.