Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vizita e Komisionit për Bujqësi në Bruksel

18.03.2015
Me iniciativë të përfaqësueses së Komisionit Evropian për Kosovën, Iva Stamenova, disa nga anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, bënë vizitë pune në Bruksel, përkatësisht në Parlamentin Evropian dhe në Komisionin për bujqësi pranë këtij parlamenti.

Gjatë dy ditëve sa zgjati vizita, anëtarët e komisionit: Naim Maloku , Zef Morina, Elheme Hetemi, Ali Lajçi, Heset Cakolli dhe Naser Rugova, kryetar i komisionit dhe kryesues i delegacionit, si dhe Bajram Badivuku, kordinator i komisionit, njoftuan homologët e tyre për përpjekjet e Komisionit dhe Ministrisë së Bujqësisë për harmonizimin e ligjeve me ato të standardeve të BE-së.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka dhënë sqarime të ndryshme, sidomos për Ligjin për Pyje, zbatimin e Ligjit për Mbeturina dhe shumë çështje tjera që kërkonin pjesëmarrësit në takime.

Përfaqësuesi i komisionit Evropian, Nicholas Cendroicz u shpreh se, dëshira dhe kërkesa e Kosovës për inkuadrimin sa më të shpejtë në familjen evropiane, të cilës edhe i takon, është një temë e vështirë në Komisionin Evropian. Për të arritur suksesin e duhur, duhet të merremi me gjërat e vështira të paraqitura në raportin e progresit, tha Nicholas Cendroicz. Kryesuesi i delegacionit, Rugova, u pajtua me sugjerimet e dhëna dhe shtoi se ato janë edhe brengat e institucioneve të Kosovës. Sa i përket marrjes së hapave në fushën e Mjedisit dhe të Bujqësisë, institucionet e Kosovës janë duke bërë hartimin e strategjisë, si dhe studime fizibiliteti, duke potencuar edhe projektligjet të cilat shqyrtohen aktualisht në Parlament.

Ndërkaq, gjatë takimit me Nicholas Hanley dhe Octavian Stamate, zyrtarë të njësisë për mjedis, u vlerësuan lart përpjekjet e Kosovës që të harmonizojë Ligjet me ato të BE-së, duke i konsideruar të domosdoshme për hyrje në BE.