Kuvendi i Republikës së Kosovës

Në Prishtinë do të mbahet tryeza e parlamenteve të Evropës Juglindore

18.03.2015

Organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri Evropiane dhe Kuvendi i Kosovës, nga 10 deri më 11 qershor mbahet në Prishtinë tryeza e rrumbullakët e parlamenteve të Evropës Juglindore ( marrin pjesë deputetë nga Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria), në temën Drejt zhvillimit të një mbikëqyrje efektive të qeverisë nga parlamenti

Fjalën e hapjes Werner dhe Daci

Tryeza fillon punën të premten, në Hotel Viktoria, në orën 9:00. Fjalën e hapjes do ta mbajë shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt dhe kryeparlamentari Daci, kurse në temën Fuqizimi i parlamenteve me zhvillimin e rrjetave regjionale do të paraqitet z. Adrian Severin, ish kryetar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Takimi do të jetë i hapur për media deri në orën 10 kur fillon puna në panel.

Puna në panele dhe konkluzionet

Pjesëmarrësit do të punojnë në panele edhe pasditen e së premtes, ku do të paraqiten kumtesa të shumta dhe do të ketë diskutime për çështje të cilat lidhen me temën e tryezës. Në përfundim pritet të nxirren konkluzionet e tryezës dhe të shtrohen propozime për bashkëpunim në të ardhmen.

Vizitë Kuvendit të Kosovës

Të premten, në orën 17:00, pjesëmarrësit e tryezës do ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës.

Takim me PSSP-në, Petersen

Në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë ( të shtunën), parlamentarët e vendeve të Evropës Juglindore do të takohen me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Soren Jessen Petersen dhe do ta vizitojnë Lipjanin.