Kuvendi i Republikës së Kosovës

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për lirinë fetare dhe pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë

18.03.2015

Versioni i fundit i Projektligjit për lirinë fetare dhe pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë ka pësuar shumë ndryshime. Për këtë nuk janë konsultuar ekspertët që kanë punuar në hartimin e këtij projekti dhe as bashkësitë fetare. Emri i bashkësive fetare duhet të përmbajë edhe emrin e vendit- Kosovës, ndërsa udhëheqësit e këtyre bashkësive duhet të jenë vendës. Në projektligj askund nuk përmendet fjala xhami, kishë ose ndonjë tempull tjetër. Ligji duhet të ofrojë lirinë e krijimit të të hyrave edhe për bashkësitë fetare, si dhe të themelimit të institucioneve të ndryshme.

Kjo kërkon që gjatë amendamentimit të Projektligjit të merren parasysh të gjitha vërejtjet, në mënyrë që Kosova të ketë një ligj sa më të përsosur. Këto ishin disa nga konstatimet më thelbësore të dëgjimit publik lidhur me Projektligjin për lirinë fetare dhe pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë , organizuar nga Komisioni për çështje gjyqësore, legjislacion, Kornizë Kushtetuese, barazi gjinore, peticione dhe ankesa publike të Kuvendit të Kosovës , të kryesuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i Komisionit.

Kur është fjala për vërejtjet se Projektligji ka pësuar ndryshime të mëdha , nga përfaqësuesit e sponsoruesit të këtij Projektligji (Qeveria e Kosovës), u tha se ato janë bërë pas vërejtjeve të institucioneve ndërkombëtare , të cilat veprojnë në Kosovë, në mënyrë që ligji i ardhshëm të plotësojë standardet evropiane.

Pjesëmarrësit ishin unik në konstatimin se në lëmin e besimit fetar Kosova ka traditë të pasur të tolerancës dhe të bashkëjetesës, që është në funksion të mirëqenies së gjithë qytetarëve.

Nga Komisioni u mor zotimi që vërejtjet e këtij debati do të merren parasysh gjatë amendamentimit të Projektligjit në procedurën e mëtejme.