Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Enjte, 22.03.2012




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, edhe sot vazhdoi së shqyrtuari Projektligjin për Hoçën e Madhe. Për të arritur harmonizimin e qëndrimeve rreth amendamenteve të këtij Projektligj, në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith. Kontributin e tyre për harmonizimin e qëndrimeve e dhanë edhe zv. kryeministri, Hajredin Kuçi dhe ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikim Hapësinor, Dardan Gashi. Kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, fillimisht foli për rëndësinë e ligjit dhe kërkoi nga anëtarët e Komisionit të jenë konstruktiv gjatë debatit lidhur me amendamentet e propozuara nga ICO-ja dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

Kryeministri, ndërkaq, tha se çështja e ligjeve që dalin nga Plani i propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, tejkalon raportet e kornizave pozitë opozitë. Edhe kryeministri apeloi që t'i kushtohet rëndësi procedimit të këtij Ligji duke e konsideruar me interes për vendin.

Pas kësaj, anëtarët e Komisionit vazhduan së shqyrtuari amendamentet (12 sosh), për të cilat nuk pati ndonjë mospajtim të theksuar (përpos amendamenteve, një, katërt dhe shtatë).

Lidhur me amendamentet, 1, 4 dhe shtatë, përfaqësuesi i ICO-së, Pieter Feith, bëri sqarimet duke arsyetuar propozimet nga ana e institucionit që përfaqëson. Ai, fillimisht i siguroi anëtarët e Komisionit se amendamentet e propozuara, nuk bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Ne tha ai, në propozimin e secilit amendament iu kemi referuar obligimeve kushtetuese dhe Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura. Pas sqarimeve që bëri Feith, Komisioni po thuajse me lehtësi miratoi amendamentet e projektligjit përpos amendamentit 4, i cili rregullon përbërjen dhe kompetencat e Këshillit Monitorues dhe Zbatues (ZKM).

Gjatë diskutimeve për këtë amendament, anëtari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Liburn Aliu tërhoqi vërejtjen duke thënë :"Nëse u japim kompetenca njerëzve jo kompetentë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, atëherë, ajo nuk do të mund të mbrohet ashtu siç pretendohet me këtë Projektligj".

Pas kësaj, Komisioni mbrojti qëndrimin e vetë se ZKM-ja duhet të ketë shtatë anëtarë (4 nga komuna dhe 3 nga komuniteti i fshatit), dhe me këtë hodhi poshtë propozimin e ICO-së që ZKM-ja të ketë 6 anëtarë (3 nga komuna dhe 3 nga komuniteti i fshatit).

Pas miratimit të amendamenteve nga ana e Komisionit, kryetari Hasani e shpalli të përfunduar procedurën e amendamentimit të Projektligjit për Hoçën e Madhe, i cili në vijim do të shqyrtohet edhe në komisionet e tjera funksionale, dhe së fundmi në mbledhje plenare në Kuvendin e Kosovës.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...