Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetja Statovci moderon panelin për agjendën e gjelbër dhe krijimin e vendeve të punës për të rinj, në Komitetin Global të Deputetëve të Rinj

17.04.2024

Deputetja Jeta Statovci, në cilësi të anëtares së Komitetit Global të Deputetëve të Rinj, platformë e Bankës Botërore, që po mbahet në Uashington DC, ka moderuar panelin për agjendën e gjelber dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë.

Gjatë fjalës së saj deputetja Statovci ka theksuar se tranzicioni i gjelbër energjetik shihet si mundësi e inovacionit, punësimit, dhe një mjedis më të shëndosh. 

"Kjo kërkon dhe riaftësimin e fuqisë punëtore dhe perfshtatje te njohurive. Së fundmi legjislacioni i miratiar nga Kuvendi i Kosovës, në fushën e BRE-ve, është hap tutje në këtë drejtim", ka potencuar ajo.

Iniciativa ‘’Deputetët e Rinj Global" mbledh ligjvënës nën moshën 40 vjeç nga e gjithë bota për të trajtuar çështjen e punësimit të të rinjve në kohët e ndryshimeve klimatike. Krijimi i vendeve të punës dhe kushteve më të mira është thelbësore për misionin e Bankës Botërore për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët në një planet të jetueshëm.

Po ashtu deputetja Statovci mori pjesë edhe në panelin "Llogaridhënia dhe qeverisja e mirë - cili është roli i deputetëve". 

Në këtë panel deputetja Statovci theksoi se llogaridhënia dhe qeverisja e mirë janë çelës i suksesit dhe zhvillimit ekonomik të një shteti.