Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

09.03.2023

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancë plenare.

Seanca filloi punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve për anëtarët e kabinetit qeveritar.

Pas konsumimit të kohës dedikuar këtyre dy pikave, u parashtrua kërkesa për plotësimin e rendit të ditës. Kështu, seanca vendosi të plotësojë agjendën me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Anti Dopingun.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin dhe miratimin në lexim të dytë, të tri projektligjeve: Projektligjin për Pyjet, Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve, si dhe Projektligjin për Anti Dopingun.

Më pas seanca vazhdoi punimet duke shqyrtuar në lexim të parë Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Arsyetimin e këtij Projektligji, në emër të Qeverisë e bëri ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia. 

Sipas procedurës, folën kryetarët e grupeve parlamentare, të cilët shprehën qëndrimet e grupeve që përfaqësojnë. 

Kështu, pas shterjes së debatit ky projektligj u hodh në votim, megjithatë nuk pati vendimmarrje në mungesë të kuorumit. Ndërkaq, i njëjti bartet për seancë të re.

Lidhur me Shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158, foli propozuesja e kësaj nisme legjislative, Mimoza Kusari – Lila, e cila e paraqiti dhe arsyetoi para deputetëve. 

Më pas, kryetarët e grupeve parlamentare shprehën qëndrimet e grupeve që përfaqësojnë. Kështu, pas mbarimit të debatit, në mungesë të kuorumit ky projektligj nuk u hodh në votim dhe rrjedhimisht votimi i të njëjtit bartet për seancën e radhës.

Tutje, seanca vijoi punimet me shqyrtimin e Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021. Këtë raport e paraqiti dhe arsyetoi Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Pas arsyetimit të këtij raporti, me dakordimin e grupeve parlamentare seanca ndërpreu punimet.