Një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, si dhe Shqipe Isufi, anëtare e këtij komisionit, kanë vizituar dje Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.
Ato u pritën nga ambasadori, Astrit Zemaj dhe stafi i tij, ndërkaq u diskutua për proceset integruese evropiane të Kosovës, posaçërisht për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputetja Rrezarta Krasniqi dhe deputetja Shqipe Isufi, e kanë falënderuar Ambasadorin Zemaj, për pritjen dhe punën e tij, si dhe vlerësuan rolin e përfaqësimit si Ambasador i Kosovës, përgjegjës për marrëdhëniet me NATO-në në Bruksel, organizatë kjo e cila është shumë e rëndësishme për Kosovën.
Ambasadori Zemaj i njoftoi deputetet me punën dhe angazhimet e tij të përditshme, ndërkaq, vlerësoi se marrëdhëniet me aleancën ushtarake të NATO-s janë shumë të mira.