Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare

28.09.2020

Me 69 vota për, Kuvendi zgjodhi Naim Qelajn Avokat të Popullit

Me urimin e kryetares Vjosa Osmani për qytetarët e komunitetit boshnjak në Kosovë me rastin e ditës së tyre, kanë filluar sot punimet e seancës plenare të Kuvendit, të ndërprerë të premten. 

Kryetarja Osmani tha se historia e Kosovës është e lidhur me popullin boshnjak dhe se kontributi i tyre është i madh në formimin e shtetit të Kosovës.

“Në këtë ditë të veçantë për bashkëqytetarët tanë boshnjakë, u them se populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin e tyre, për atë që ata pasqyrojnë, diversitetin tonë kulturor. Ata janë pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës dhe nuk mund të harrojmë kontributin e tyre”, tha Osmani para deputetëve.

Për rolin e komunitetit boshnjak në Kosovë, por edhe për nevojat dhe kërkesat e tij, folën përfaqësuesit e këtij komuniteti në Kuvendin e Kosovës, deputetët Rasim Demiri dhe Duda Balje. 

Në ditën e komunitetit boshnjak uruan edhe përfaqësues të grupeve të tjera parlamentare. 

Seanca vijoi me kërkesën e kryetarit të GP të LDK-së, Arben Gashi dhe mbështetjen e shumicës absolute të deputetëve të pranishëm, që në fund të kësaj seance të rikthehen për votim të gjitha pikat e pa miratuara në seancën e kaluar. 

Duke u kthyer në rend dite, seanca vazhdoi me raundin e tretë të votimit të fshehtë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, me kandidatin e vetëm të mbetur, Naim Qelajn. 

Pas procedurës së votimit, nga 93 deputetë sa votuan gjithsej, Qelaj mori besimin e 69 prej tyre, duke u zgjedhur kështu Avokat i Popullit. 

Avokat i sapozgjedhur i Popullit mori detyrën menjëherë pas betimit në Kuvend, duke falënderuar gjithashtu deputetët për besimin e tyre.  

Ndërkaq, për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, 
Projektligjin nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, propozim-rezolutën nga interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, si dhe për Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, nuk pati kuorum për vendimmarrje. 

Lidhur me propozim-rezolutën nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës,  z. Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, kryetari i GP të VV-së, Rexhep Selimi, theksoi se projekt-rezoluta ende është në fazën e harmonizimit.