Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentarja e Shqiprisë Jozefina Topalli përgëzon kryeparlamentarin Krasniqi

18.03.2015
I nderuar zoti Krasniqi!

Për mua është veçanërisht një moment emocinant dhe një mision historik të përshëndes, në emrin e ligjvënësit dhe e të gjithë popullit shqiptar, zgjedhjen tuaj si Kryetar i Kuvendit dhe formimin e qeverisë legjitime të Kosovës.

Kur flasim për Kosovën, dy Kuvendet tona janë në të njëjtin valë, rrahin me të njëjtin ritëm dhe përshkohen nga e njëjta frymë e dëshirë: PAVARËSIA.

Kuvendi që ju do të drejtoni, i dalë nga zgjedhjet e lira të 17 nëntorit, do të hartojë e miratojë ligjet e shtetit më të ri , që po jep gjithnjë e më shumë prova frymëzuese të mirëfunksionimit të demokracisë, të konsolidimit të institucioneve, të projektimit të sigurt si shtet evropian.

Populli i Kosovës, përmes të zgjedhurve të tij, bashkë me votën i ka besuar këtij Kuvendi shpresat, dëshirat dhe ëndrrat për pavarësi. Kjo, e bën institucionin që ju do të drejtoni, një Kuvend historik.

Pavarsia e Kosovës dhe legjitimiteti i saj prej këtij Kuvendi të nderuar, do të kërkojë angazhimet madhore në ndërmarrjen e reformave të vështira për prosperitetin e Kosovës në të gjitha fushat, në sigurimin e një bashkëqeverisje me të gjitha grupimet politike dhe etnike, në përmbushjen e standardeve të integrimit euro-atlantik, në sigurimin e një fqinjësie paqësore dhe dinamike.

Në të gjitha këto sfida, parlamenti dhe qeveria kanë peshën e tyre, por sigurisht një vend të rëndësishëm në ndërtimin e baraspeshave funksionale në këtë parlament e keni ju, i nderuar koleg.

Zgjedhjet e nëntorit 2007, sigurisht , ishin një arritje jo pak e rëndësishme, por sfida e mëdha sapo kanë nisur për popullin dhe institucionet tuaja. Viti 2008 do të jetë për popullin e Kosovës domosdoshmërisht realizuesi i aspiratave të mëdha dhe kurorëzim i suskseshëm i sakrificave shumëvjeçare.

Kuvendi i Shqipërisë, ashtu si e gjithë Shqipëria, ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një avokat aktiv i pavarësisë së Kosovës, si e vetmja rrugë paqeje e stabilitetit në Kosovë, rajon e përtej tij.

Zoti Krasniqi,

Me anë të kësaj letre, dua të theksoj mbështetjen e palëkundur politike e diplomatike, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, për përcaktimin e statusit final, ku pasqyrohen aspiratat dhe vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës për një shtet të pavarur,demokratik dhe evropian.

Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të shkëmbimit të pikëpamjeve dhe mendimeve tona në çështje të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, do të kisha kënaqësinë e veçantë, i nderuar zoti Krasniqi, t™Ju prisja Juve në krye të një delegacioni, për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Ju.

Mençuria dhe urtësia e popullit të Kosovës qoftë me ju në këtë detyrë të rëndësishme!

Punë të Mbarë dhe suksese Kuvendit të Pavarësisë!

Jozofina TOPALLI (Çoba)