Kuvendi i Republikës së Kosovës

Roli i mediave dhe i publikut në punën e Kuvendit

 

 

Të gjitha seancat plenare janë publike. Salla plenare e Kuvendit ofron hapësirë për qytetarët, të cilët mund t’i përcjellin seancat plenare nga galeria e vizitorëve që gjendet në ballkon. Vizitorëve u kërkohet që të regjistrohen disa ditë para seancës, tek Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun. Informatat për agjendën dhe datat e seancave të ardhshme, mund të gjenden në kalendarin e aktiviteteve të publikuar në ueb- faqen e Kuvendit.

Puna e Kuvendit është e hapur dhe transparente. Të gjitha seancat e Kuvendit, mbledhjet e komisioneve dhe takime e tjera, paralajmërohen paraprakisht në kalendarin e ngjarjeve, në faqen e Kuvendit në internet. Informatat, procesverbalet dhe trasnkriptet nga seancat plenare të Kuvendit, si dhe dokumente të tjera nga puna e përditshme, publikohen në ueb-faqen e Kuvendit.

Në Kuvend, gazetarët kanë qasje dhe i mbulojnë seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve. Në sallën plenare, gazetarët mund t’i mbulojnë punimet nga salla e dedikuar për ta, ndërsa kameramanët dhe fotoreporterët nga galeria (ballkoni).

Këto mjedise u ofrojnë atyre hapësirë të punës dhe mbulim zanor në të gjitha gjuhët e punës në Kuvend. Kjo iu mundëson mediave joshqiptare që t’i përcjellin punimet e Kuvendit.

Përveç ofrimit të infrastrukturës për mbulim për gazetarë, Kuvendi i ka edhe pajisjet për produksionin e vet të transmetimit. Të gjitha seancat plenare transmetohen drejtpërdrejt në transmetuesin publik dhe në ueb-faqen e Kuvendit.

Krahas këtyre, Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun mbulon të gjitha ngjarjet dhe takimet në Kuvend apo që lidhen me Kuvend, përgatit komunikatat të cilat së bashku më fotografi, publikohen në ueb-faqen e Kuvendit dhe u përcillen në mënyrë elektronike të gjitha mediave të akredituara.