Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca plenare e Kuvendit

18.03.2015
Në seancën së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetëve u është drejtuar Presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu, lidhur me gjendjen e përgjithshme në vend.

Në prezantimin gjithëpërfshirës të zhvillimeve në vend presidenti Sejdiu, duke folur për rrugën e gjatë të pavarësisë së vendit dhe sakrificat e mëdha në këtë rrugëtim të vështirë, ka theksuar se projekti i pavarësisë së Kosovës, si zgjidhje për çështjen e Kosovës, u maturua në 18 vjetët e shkuara, para se të kurorëzohej me Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Ai me këtë rast ka shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që derdhën gjak e djersë e dije për pavarësinë e Kosovës.

Pasi i ka falënderuar shtetet e BE-së dhe SHBA-të që e mbështetën pavarësinë e Kosovës, si dhe të gjitha vendet, të cilat e kanë njohur apo që duan ta njohin vendin tonë, Sejdiu është shprehur: Kosova ka bërë vendin e vet në hartën politike të botës dhe dëshiron të rrethohet me fqinjë miqësorë.

Duke folur, ndërkaq, për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, presidenti Sejdiu ka spikatur se rimëkëmbja e plotë, rilindja e vërtetë e Kosovës mundet dhe duhet të ndodhë duke vënë në lëvizje potencialet njerëzore, duke ndërtuar institucione demokratike e plotësisht funksionale, duke ndërtuar ekonomi dhe rrjet arsimor e shëndetësor të qëndrueshëm.

Ndër fushat strategjike ekonomike që kërkojnë vëmendjen dhe përkushtimin prioritar të shtetit tonë, ai ka përmendur energjetikën dhe agrikulturën.

Sa i përket zhvillimit të arsimit, ndërkaq, presidenti ka pohuar se është koha që të vihet rend në arsimin e lartë, duke aplikuar kritere të pranuara ndërkombëtare për akreditimin e institucioneve. Universitetet nuk guxojnë të shndërrohen në biznese fitimprurëse, ka thënë Sejdiu, i cili ka folur gjerësisht edhe për fusha të tjera të jetës, të punës dhe të zhvillimit institucional të Kosovës. 

Pas një pushimi të shkurtës seanca e sotme ka vazhduar me Informatën për punën 100 ditshe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilën e ka prezantuar kryeministri, Hashim Thaçi. Ai fillimisht kryeministri ka falënderuar deputetët për mbështetje të Qeverisë, të cilën e udhëheq ai, për të vazhduar pastaj me shpalljen e pavarësisë së vendit, dhe njohjen Kosovës nga shumë vende të fuqishme dhe demokratike të B-së e të botës. Thaçi pastaj ka përmendur miratimin e Kushtetutës, e cila garanton rrugën e zhvillimit gjithëpërfshirës të vendit dhe hap rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ai pastaj ka folur për zhvillimin e shumë sektorëve, si arsimi, kompjuterizimii shkollave, ndërtimi i rrugëve dhe i infrastrukturës tjetër, pa lënë anash as zhvillimin e energjetikës, të shëndetësisë etj.

Vëmendje të veçantë Thaçi i ka kushtuar kujdesit të qeverisë për menaxhimin e parasë publike, duke theksuar kursimet prej rreth 36 milion eurosh në shpenzimet e qeverisë, krahasuar me shpenzimet e bëra më parë.

Pas informatës së kryeministrit Thaçi, deputetë nga radhët e opozitës kanë kërkuar debat parlamentar lidhur me këtë informatë të qeverisë, por kjo nga kryeparlamentari Krasniqi dhe disa shefa të grupeve parlamentare është vlerësuar e panevojshme, sepse nuk parashihet as me Rregullore të punës së Kuvendit.

Kryeministri Thaçi është paraqitur edhe në herë para deputetëve për të prezantuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2008-2011.

Thaçi, në fjalën e tij, ka shkoqitur elemente nga shtyllat kryesore të Programit të Qeverisë që konsiston në rritjen ekonomike, implementimin e statusit, qeverisjen e mirë dhe zbutjen e varfërisë, si dhe ruajtjen e stabilitetit social.

Ndër sektorët bazë të zhvillimit të ardhshëm të Kosovës Thaçi ka përmendur sektorin e bujqësisë, atë të prodhimit të energjisë dhe atë të minierave. Furnizimi cilësor dhe i qëndrueshëm paraqet parakusht të zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës dhe premtim mandator të kësaj qeverie ka theksuar kryeministri, i cili në vazhdim është përqendruar në zhvillimin e ardhshëm të transportit dhe telekomunikacionit, përfshirë edhe transportin hekurudhor, në të cilin parashihet investimi, përmirësimi dhe rivitalizimi i infrastrukturës hekurudhore ekzistuese.

Duke folur për prioritetin e qeverisë së tij arsimin, Thaçi është shprehur se në këtë program dhe në prioritetet e qeverisë, arsimi është pjesë e rëndësishme e çdo strategjie zhvillimore dhe investim afatgjatë në kapitalin njerëzor.

Në vazhdim kryeministri Thaçi është përqendruar në sundimin e ligjit, si parakusht për stabilitet politik dhe ekonomik të vendit dhe si garanci për investimin e kapitalit të huaj në ekonominë e Kosovës. Në këtë plan ai ka pohuar se normat tatimore do të jenë stimuluese për biznesin dhe do të shqyrtohen problemet administrative të identifikuara.

Vëmendje e veçantë në programin e qeverisë i kushtohet implementimit të statusit, si dhe integrimit të komuniteve dhe kthimi i të zhvendosurve.

Lidhur me Politikën e Jashtme të Republikës së Kosovës Thaçi ka spikatur përshpejtimin e procesit të njohjes së shtetit të Kosovës, thellimin e marrëdhënieve të veçanta me SHBA-të shtetet e BE-së shtetet fqinje dhe vendet tjera, ndërtimin shërbimit diplomatik dhe konsullor të Kosovës, anëtarësimin e plotë të vendit tonë në organizatat dhe institucionet kryesore politike, ekonomike dhe financiare ndërkombëtare, mbrojtjen e interesave të qytetarëve tanë në botën e jashtme si dhe afirmimin e identitet të Kosovës në botën e jashtme.

Në planin e rujatjes së paqes socilale dhe të shëndetit të qytetarëve ka theksuar zbutjn e varfërisë dhe të stabiliteti social, zhvillimin e sëndetësisë, mbrojtjn e mjedisit dhe planifikimin hapësinor të vendbanimeve.

Pas fjalës së kryeministrit është hapur debati për Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2008-2011. Derisa shumica e deputetëve nga radhët e pozitës e kanë vlerësuar gjithëpërfshirës, mobilizues dhe të realizueshëm që siguron zhvillim të përshpejtuar të Kosovës, deputetë nga radhët e opozitës kanë shprehur fjalë kritike, si për zëra të veçantë në këtë program, ashtu edhe për programin në përgjithësi.

Debati parlamentar për këtë temë vazhdon ditën e hënë,duke filluar në orën 10:00.