Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

18.03.2015
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e Kuvendit të mbahet të premten e ardhshme, më 3 tetor, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Pjesa e parë e seancë është rezervuar për pyetjet parlamentare dhe përgjigjet e Kabinetit qeveritar në pyetjet e shtruara për punën e Qeverisë.

Në vazhdim do të do të shqyrtohet mocioni për shmangie nga rregullat për procedimin e ligjeve te pashpallura nga PSSP-ja, të cilat do ë miratohen pas shqyrtimit nga komisionet funksionale. Në këtë seancë do të shqyrtohet Rekomandimi për amendamentimin e Ligjit nr. 02/L-119 për Letërnjoftimin, kurse në vazhdim edhe Rekomandimi për amendamentimin e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit nr. 2003/9 për kooperativat e bujqve.

Është paraparë që në këtë seancë të debatohet lidhur me gjendjen në parkun nacional Malet e Sharrit dhe në fshatin turistik në Prevallë, si dhe për gjendjen në pyjet e Deçanit (sipas Rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor).

Kryesia sot ka shqyrtuar edhe Rekomandimin e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media në lidhje me nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për RTK-në, si dhe Rekomandimin e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji lidhur me vendimin e Qeverisë për dhënien në shfrytëzim të objektit të Institutit të Historisë për nevojat e Bibliotekës Kombëtare, duke kërkuar që rekomandimi i komisionit t™i dërgohet Qeverisë, si dhe të plotësohet dosja për këtë çështje, para se ajo, eventualisht, të vihet për debat në një seancë të ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Duke e shqyrtuar, ndërkaq, Rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energji, Transport e Telekomunikacion lidhur me Propozimvendimin e Qeverisë për emërimin e dy anëtarëve në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, anëtarët e Kryesisë janë pajtuar se para se çështja të nxirret për votim në Kuvend, duhet të merren informacione shtesë për përgatitjen profesionale dhe përvojën e kandidatëve të propozuar.