Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës solemne

18.03.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne për ta nderuar Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë, David Miliband, i cili u është drejtuar deputetëve të Kosovës me një fjalë rasti.

Fillimisht, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke e përshëndetur në emër të tij dhe të kuvendarëve të Kosovës, si dhe duke i uruar mirëseardhje shefit të diplomacisë britanike, David Miliband, është shprehur:

Ardhjen Tuaj në Kosovë e përjetojmë si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe si mesazh të fuqishëm të Qeverisë britanike për miqësinë dhe kujdesin ndaj vendit dhe popullit tonë. Mbretëria e Bashkuar ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë e historik në mbrojtjen e drejtësisë karshi çështjes së Kosovës, në rindërtimin e rimëkëmbjen e vendit tonë të dalë nga lufta shkatërruese dhe në sigurinë e në ngritjen e themeleve të Kosovës së re.

Në vazhdim Krasniqi ka folur për ndryshimet që ka pësuar Kosova pas shpalljes së pavarësisë së vendit, të cilën e kanë njohur mbi 50 vende anëtare të OKB-së.

Duke qenë alternativa e vetme dhe prioriteti ynë strategjik integrimi evropian dhe euroatlantik, ne presim nga Ju dhe nga gjithë miqtë tanë, të na mbështetni edhe në këtë proces historik dhe jetik për popullin e Kosovës, i cili do t'i sjellë në familjen e madhe të popujve evropianë vlerat e tij antike dhe moderne ka spikatur Krasniqi.

Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Miliband, e ka quajtur nder dhe privilegj t™i drejtohet Parlamentit të shtetit të pavarur të Kosovës, duke e vlerësuar lart kontributin e kuvendarëve të Kosovës për ndërtimin e vlerave të demokracisë.

Duke përkujtuar se nesër Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar do ta përfaqësuesin diplomatik të Kosovës, Miliband ka theksuar se vendi i tij ka qenë me Kosovën në betejën për pavarësinë e vendit dhe se do ta ndihmojë shtetin e ri të Kosovës. E keni rastin ta formësoni të ardhmen tuaj, ka thënë kryediplomati britanik, duke premtuar mbështetjet gjithanshme për Kosovën, përfshirë edhe ndihmën e dhënë për transformimin e TMK-së. Ai, ndërkaq, duke shprehur urimet për rrugën e Kosovës drejt integrimeve në BE dhe emancipimit kombëtar dhe kulturor të qytetarëve të Kosovës, ka tërhequr vëmendjen që gjatë kalimit të kësaj rruge assesi të mos bihet në djallin e nacionalizmit.

Ai ka folur edhe për BE-në si vendin ku 27 shtete të saj luftojnë rreziqet globale, duke premtuar se dyert për anëtarësim do të jenë të hapura edhe për Kosovën, dhe se suksesi do të varet ekskluzivisht nga puna e mirë e institucioneve të Kosovës.

Miliband e ka vlerësuar pasuri diversitetin kombëtar dhe kulturor të Kosovës, kurse rininë e Kosovës e ka quajtur kapitalin më të madh të vendit, për arsimimin e mirë dhe punësimin e së cilës duhet punuar shumë.

Deputetët e kanë pritur me duartrokitje hyrjen në sallën e seancave, si dhe përfundimin e fjalës kurajuese të ministrit të Jashtëm Britanik, Miliband.