Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

18.03.2015

Në fillim të seancës së sotme kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në emër të tij dhe të deputetëve, e ka uruar presidentit e ri të SHBA-ve, Barack Obama, për zgjedhjen në krye të shteti amerikan, e ka falënderuar administratën e presidentit Bush për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, si dhe ka shprehur bindjen e thellë për miqësinë e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Në vazhdim të seancës është debatuar gjatë për rendin e ditës së seancës, sidomos për kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së; Lutfi Haziri, për heqjen nga rendi i ditës i seancës së sotme të shqyrtimin e Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me propozimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës. Me gjithë kundërshtimin e gupeve parlamentare nga radhët e opozitës dhe daljes në foltore (tri herë radhazi) të kryeministrit Thaçi, për të argumentuar se procedimi i çështjes është bërë sipas rregullave në fuqi, deputetët me shumicë votash e kanë hequr nga rendi i ditës zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional, duke kërkuar material shtesë për gjendjen e Trustit.

Deputetët e kanë mbështetur kërkesën e kryeparlamentarit Krasniqi për kohë shtesë për pyetjet parlamentare, të cilave u janë përgjigjur ministrat: Ferati, Shala, Hoxhaj dhe Limaj. Kabineti qeveritar do tu përgjigjet pyetjeve të deputetëve edhe në orën e parë të vazhdimit të seancës, ditën e premte.

Kuvendarët e Kosovës kanë shqyrtuar për herë të parë i Projektligjin për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të cilin e ka prezantuar ministri, Idriz Vehapi. Projektligji është miratuar në parim, siç është miratuar edhe Projektligjin për faljen, i prezantuar nga ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, si dhe Projektligjin për lizingun financiar, të . prezantuar nga zëvendëskryeministri, Ramë Manaj.

Pas prezantimit, ndërkaq, nga Manaj të Projektligjit për themelimin e Departamentit për Mjekësi Ligjore dhe dëgjimit të vërejtjeve për këtë projektligj nga kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, deputetët (më shumicë votash) projektligjin ia kanë kthyer Qeverisë për ripunim.

Në vazhdim deputetët i kanë shqyrtuar dhe miratuar Rekomandimin për amendamentimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të përkohshëm penal të Kosovës, nr. 03/L-002, Rekomandimin për amendamentimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të përkohshëm të procedurës penale të Kosovës, nr. 03/L-003, Rekomandimin për amendamentimin e Ligjit për provimin përfundimtar dhe provimin e maturës shtetërore, nr. 03/L-018, si dhe Rekomandimin për amendamentimin e Ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë, nr. 02/L-073.

Seanca ka përfunduar punimet për sot pasi deputetët kanë shqyrtuar për herë të dytë dhe miratuar përfundimisht Projektligjin për Ansamblin e këngëve dhe të valleve Shota dhe për ansamblet e tjera, nr. 03/L-056.

Seanca i vazhdon punimet të premten, në orën 10 :00.