Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti ambasadorin Abramowitz

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot anëtarin e Bordit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Morton Abramowitz dhe ka biseduar me te për gjendjen në Kosovë pas dorëzimit vullnetar të zotit Haradinaj në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, për statusin e Kosovës, për formimin e Qeverisë së re të vendit, për bisedimet me Serbinë etj.

Kryeparlamentari Daci është shprehur se arrestimi i kryeministrit Haradinaj do të ndikojë negativisht në procesin politik në Kosovë, se ka bashkëpunuar shumë mirë me ish - kryeministrin e Kosovës dhe se pa te proceset pozitive do të shkojnë më ngadalë.

Daci e ka vlerësuar të qëndrueshëm dhe të suksesshëm koalicionin qeverisës në Kosovë, prandaj është shprehur i bindur se ai do të vazhdojë të funksionojë dhe se nuk sheh arsye për të krijuar ndonjë koalicion tjetër. Por, gjithsesi, partitë janë ato që vendosin për koalicionin qeverisës, ka thënë kreu i legjislativit të vendit.