Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti shefin e USAID-it në Kosovë Ken Yamashita

18.03.2015

Perspektiva e zhvillimit ekomomik, sidomos në lëmin e energjetikës, hapja e projekteve të mëdha, përkatësisht e investimeve të mëdha në Kosovë pas zgjidhjes së statusit, në sferën e akumulimeve ujore, në ndërtimin e autostradave dhe ngritjes së kapaciteteve të reja energjetike ishin tema kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, me shefin e USAID-it në Kosovë, Ken Yamashita.

Është kënaqësi, theksoi kryeparlamentari Daci, kur me një udhëheqës të një institucioni edhe politik, bisedon gjatë për çështje të zhvillimit ekonomik. Në këtë frymë ai shfaqi njëkohësisht edhe respektin për profesionalizmin e lartë të drejtorit të USAID-it. Në vijim , kreu i legjislativit të Kosovës pohoi se ka kërkuar edhe ndihmën e këtij institucioni dhe të NDA-së në këshillime në implementimin e ligjeve dhe në mbikëqyrje të sistemit të ri të sigurimit që po e krijojmë , të ministrive, për të qenë të suksesshëm, do të thotë që Parlamenti jo vetëm të sjellë ligje , por edhe të kontrollojë Qeverinë. Në këto procese, tha kryeparlamentari Daci, USAID-in e kemi partner.

Shefi i USAID-it në Kosovë, Ken Yamashita, tha se me këtë rast i ofruam Kuvendit të Kosovës mbështetjen tonë në të gjitha aspektet. Parlamenti i Kosovës ka kapacitete të shumta, të cilat duhet të shfrytëzohen në lëmin e legjislacionit. Po kështu, ai premtoi përkrahje të gjerë edhe në sendërtimin e ligjeve. Meqë jemi në pritje të dimrit, tha Yamashita, do të përqendrohemi edhe në çështje të energjisë, në mënyrë që gjatë kësaj stine të kemi një furnizim sa më normal me energji elektrike