Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të TAIEX-it, të shoqëruar nga zëvendësministri i Bujqësisë, Tomë Hajdaraj

18.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës akademik Nexhat Daci, priti sot një delegacion të ekspertëve të TAIEX-it (Asistenca Teknike dhe Drejtoria Gjenerale për Zgjerim) , që vepron në kuadër të BE-së, në lëmin e ndihmës në ushqim dhe veterinë, të kryesuar nga Peter van Honwelingen, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, Tomë Hajdaraj. Ky delegacion e njoftoi kryeparlamentarin Daci se është duke bërë një analizë të sistemit të veterinarisë në Kosovë, mbi bazën e së cilës do të bëhet edhe një raport. U tha se kjo agjenci ka vendosur bashkëpunim mjaft të mirë me Ministrinë e Bujqësisë dhe subjektet tjera të lëmit të bujqësisë dhe veterinarisë.

Duke i përgëzuar për punën dhe vendosjen e këtij bashkëpunimi të frytshëm, kryeparlamentari Daci tha se delegacioni do të ketë rast të njihet me resurset e mëdha bujqësore në Kosovë, ndërsa qëllimi i institucioneve të Kosovës është nxitja e investimeve në këtë segment tejet të rëndësishëm. Në të gjitha këto plane tuaja do të keni mbështetjen e plotë të Kuvendit të Kosovës, sidomos në hartimin dhe aprovimin e ligjeve nga ky lëmë, në mënyrë që edhe investimet të mbështeten në ligje. Është e nevojshme të sigurohen laboratorë të mirë dhe të përfshihen të rinjtë në veprimtaritë që zhvilloni, pra të kemi grupe ekspertësh, që do të merren në mënyrë thellësisht profesionale e shkencore me këtë veprimtari.

Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, Tomë Hajdaraj, me këtë rast foli për disa suksese në eksportin e qumështit nga Kosova në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe të perimeve në Zvicër, duke përmendur edhe interesimet për perimet kosovare nga ana e Gjermanisë.