Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Daci priti nënkryetarin e PD-së, Besnik Mustafaj

18.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot nënkryetarin e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, i cili është edhe kryesues i Komisionit parlamentar për politikë të jashtme në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka biseduar me te për zhvillimet në të dy vendet.
Zoti Mustafaj e ka njoftuar gjerësisht kryeparlamentarin Daci për aktivitetet e Partisë Demokratike dhe analizën e saj për ndyshime pozitive në Shqipëri, për vizionin e saj për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe për angazhimet për një sistem proporcional të zgjedhjeve në vend. Në këtë dritë ai ka folur edhe për fillimin e negociatave me Unionin Evropian për marrëveshjen e asocim-stabilizimit.
Profesor Daci është shprehur se sistemi proporcional i zgjedhjeve është shumë më i drejtë dhe më praktik për vendet në të cilat nuk është konsoliduar plotësisht demokracia. Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve në interes të qytetarëve dhe të ardhmërisë më të mirë. Daci ka vënë në pah edhe rolin e veprimit institucional për mbarëvajtjen e proceseve pozitive në shoqëri, kurse të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se informimi reciprok i institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë është i rëndësishëm për të dyja vendet.