Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vazhdimi i seancës konstituive

18.03.2015

Në shenjë respekti dhe kujtimi për ish kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili kohë më parë ka ndërruar jetë, vazhdimi i sotëm i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga deputeti Adem Mikullovci, ka nisur me një minutë heshtje.

Më pas, në foltore është paraqitur përfaqësuesi i koalicionit PAN, deputeti Enver Hoxhaj, i cili shprehu vendosmërinë e këtij koalicioni për të jetësuar të drejtën e tyre kushtetuese për propozimin e kryetarit të Kuvendit. Por, për të arritur këtë, ai kërkoi ende kohë. Kërkojmë tha ai, më pak se dy javë dhe më shumë se 10 ditë kohë para se të paraqesim kandidatin e koalicionit për kryetar të Kuvendit.

Në vijim fjalën e mori deputeti i VV-së Albin Kurti. Ai gjatë fjalës së tij foli për dëmet që i shkaktohen vendit me vonesën e konstituimit të organeve shtetërore. Kurti, po ashtu vlerësoi se, PAN-i pa humbur kohë duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Në emër të koalicionit LAA, fjalën e mori deputeti Avdulla Hoti, i cili vlerësoi se me dështimin e seancës së sotme vendi është duke hyrë në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa bëri të ditur se ky koalicion zgjedhjen do ta kërkojë në tryezat konsultative që do të organizohen prej tyre.

Më pas fjalën e mori ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Duke iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga deputeti Kurti, ish kryetari i Kuvendit Veseli, ndër të tjera tha: "Shumicën aktualisht nuk e ka siguruar as një nga subjektet politike". Për më shumë, Veseli, duke iu drejtuar deputetëve deklaroi se, nëse VV do të sigurojë shumicën e kërkuar parlamentare, PAN do të mbështesë atë.

Pas kësaj ndërmjet ish kryeparlamentarit Veseli dhe deputetit Kurti u zhvillua një replikë, pas së cilës kryesuesi ndërpreu seancën.

Për vazhdimin e seancës së radhës, kryesuesi njoftoi se deputetët do të njoftohen me kohë.