Kuvendi i Republikës së Kosovës

Demant i artikullit Ja sa euro morën deputetët për dy seancat e fundit, publikuar më 3 tetor 2017, në portalin www.indeksonline.net

18.03.2015

Çmojmë lart dhe respektojmë misionin e mediave për ta bërë publik çdo shpenzim të mjeteve të taksapaguesve nga ana e institucioneve shtetërore, por gjithashtu, kërkojmë që prezantimi i të dhënave dhe fakteve të bëhet në mënyrë të drejtë, të saktë dhe pa tendencë.

Konfirmojmë me përgjegjësi se artikulli në fjalë përmban të dhëna të pabaza dhe të pasakta lidhur me temën të cilën e trajton. Për më tepër, artikulli është kontradiktor.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, disa herë ka dhënë sqarime lidhur me temën që trajton artikulli, por çuditërisht kjo temë dhe të dhënat përkitazi me të, vazhdojnë të pasqyrohen në mënyrë të deformuar dhe të pasaktë.

Në këtë artikull, ndër të tjera thuhet: "Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro. Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh. Ndërkaq vetëm në dy seanca të mbajtura dje dhe sot, çdo deputetët i Kuvendit të Kosovës, ka fituar 480 euro".

Konfirmojmë se shifra e fundit është krejtësisht e pasaktë. Në bazë të vendimit për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore, të vitit 2011, kompensimi për pjesëmarrje të deputetëve në seanca plenare është 240 euro në muaj, ndërsa për pjesëmarrje në punën e komisioneve, 160 euro.

Ndërkaq, në vendimin për ndalesën e kompensimit të deputetit për mospjesëmarrje në seancë plenare dhe në mbledhjen e komisionit parlamentar, thuhet: "Për mospjesëmarrjen të deputetëve në seancë plenare, ndalesa iu bëhet në mënyrë proporcionale me numrin e seancave të mbajtura". E njëjta vlen edhe për mbledhjet e komisioneve.

Pra, deputetët kompensohen në vlerë maksimale 240 euro, nëse marrin pjesë në së paku dy seanca brenda një muaji. Por, kjo vlerë nuk rritet, edhe nëse ata marrin pjesë në më shumë se dy seanca brenda një muaji.

Ndërsa, në rast të pjesëmarrjes së deputetit në vetëm një seancë brenda muajit, kompensimi bëhet në vlerë të përgjysmuar nga shuma e lartpërmendur.