Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vazhdimi i seancës plenare...

18.03.2015

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar sot me seancën plenare të kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2016, midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Për shkak të rëndësisë së ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, deputetët fillimisht votuan për shmangie nga afatet procedurale të parapara në Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Më pas është vijuar me shqyrtimin e projektligjit, të cilin para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha.

Me këtë rast, ministrja Hoxha tha: "Kjo marrëveshje rregullon zbatimin e programit të IPA 2016, i cili përfshinë gjashtë projekte, të cilat ndihmojnë në përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së".

Në vijim, ministrja e Integrimeve, Hoxha, bëri të ditur se kjo marrëveshje financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së arrin në shumën prej 71.15 milionë euro dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit tonë në shumë fusha.

Pas prezantimit, ministrja Hoxha, i ftoi deputetet që ta votojnë Projektligjin, në mënyrë që të vazhdohet me procedurat e realizimit të fondeve të parapara më këtë marrëveshje.

Lidhur me këtë Projektligj foli edhe kryetarja e Komisionit për integrime evropiane, Blerta Deliu-Kodra. Ajo bëri të ditur se Komisioni për Integrime Evropiane e ka shqyrtuar këtë marrëveshje dhe është përkrahur nga të gjithë anëtarët e komisionit. Ajo po ashtu, kërkoi nga të gjithë kolegët deputet që ta votojnë marrëveshjen në të mirë të shtetit te Kosovës.

Me pas, fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët u shprehën në favor të Projektligjit.
Lidhur me projektligjin deputetët zhvilluan debat, nëpërmjet të cilit shfaqën opinionet dhe rekomandimet lidhur me të.

Në fund, seanca ka vazhduar me hedhjen ne votim të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2016, midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Pas votimit, kryesuesi i seancës konstatoi se ky Projektligj është miratuar me 98 vota për dhe asnjë kundër.