Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

18.03.2015

Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës (të filluar më 16 prill), kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti (një pjesë u kryesua nga nënkryetarja Mufera Sinik), filloi me pikën lidhur me debatin parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me të gjeturat e raportit të komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.

Glauk Konjufca, kryetar i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur në cilësinë e parashtruesit të kësaj kërkese, sqaroi se ka kaluar më shumë se një muaj kur është paraqitur kërkesa për këtë debat dhe më pas në Kuvend edhe është miratuar Demarkacioni me Malin e Zi. Lidhur me kalimin e kësaj marrëveshje, Konjufca sqaroi se Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq, në vijim shtoi se për rrjedhën e këtij procesi duhet të formohet një komision hetimor parlamentar. Konjufca kërkoi që të tërhiqet kërkesa për debat dhe kjo çështje të shtyhet për një mbledhje tjetër.

Tutje, Kuvendi vazhdoi punimet me debatin parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Ganimete Musliu, Salih Salihu dhe Driton Çaushi, në lidhje me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika, si dhe cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë. Fillimisht propozuesit e kësaj çështje paraqitën kërkesën e tyre për debat.

Deputetja Ganimete Musliu (PDK), në cilësinë e inicueses së këtij debati, duke shprehur shqetësimin lidhur me mishin e importuar në Kosovë, tha se lajmi që në Kosovë ka hyrë mish i skaduar nga Belgjika, ka tronditur opinionin e gjerë, ndërkaq përmendi faktin se ky lloj mishi ka tentuar që të hyjë në Kosovë gjatë muajit shtator të vitit 2016 dhe gjatë muajit gusht të vitit 2017. Por, sipas saj, në të dy rastet, sa është tentuar të hyjë ky lloj mishi, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës e ka parandaluar suksesshëm.

Ajo në vijim përmendi edhe asgjësimin që u është bërë tonelatave të shumta të mishit nëpër dyqane që nuk i kanë poseduar standardet minimale në Kosovë. Kjo, sipas Musliut, është bërë nga inspektorati komunal. Ndërkaq, shtoi se Agjencia, për shkak të kapaciteteve të mangëta nuk po arrin të plotësojë kërkesat dhe nevojat për të pasur një kontroll më të madh në sigurinë e ushqimit. Për këtë, ajo tha se nevojitet edhe mbështetje nga aspekti buxhetor.

"Kërkoj që të ofroni zgjidhje konkrete gjatë këtij debati dhe të jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve të vendit", tha Musliu.

Besa Gaxherri, duke folur në emër të GP të LDK-së, fillimisht shfaqi kritika për mosprezencën e kabinetit qeveritar gjatë këtij debati, ndërsa tha se qytetarët e vendit po ballafaqohen me ushqim jo cilësor dhe aspak të sigurtë. Gaxherri konstatoi se importi i mishit është krim i organizuar dhe kjo po rrezikon jetën e qytetarëve. Ajo shtoi qytetari i Kosovës ushqehet me ushqimin më të shtrenjtë në Evropë dhe me cilësinë më të dobët. Deputetja Gaxherri tha se institucionet kompetente nuk po e respektojnë ligjin. Ndërsa, shtoi se produktet vendore janë më të sigurta dhe më cilësore se sa produktet e importuara.

"LDK-ja kërkon nga organet kompetente që të respektohet Ligji dhe që të merren më seriozisht me këtë çështje. LDK-ja është tejet e shqetësuar me faktin se kjo qeveri nuk po merret me luftimin e këtyre dukurive, andaj kërkojmë që kjo qeveri të jap dorëheqje", tha ajo.

Andin Hoti, duke folur në emër të GP të PDK-së, pasi shprehu shqetësimin e tij lidhur me çështjen e mishit të skaduar, tha se kjo përbën krimin më të rëndë që po i bëhet shoqërisë. Ai tha se kompanive të cilave u është gjetur mish i skaduar dhe produkte të tjera ushqimore të prishura, po vazhdojnë të operojnë pa problem në Kosovë. Lidhur me këtë, ai tha se po dëmtohen rëndë edhe kompanitë vendore të cilat punojnë ndershëm.

Tutje, ai kërkoi nga AUV dhe institucionet adekuate që të ndërmarrin masa urgjente lidhur me këto shqetësime që u ngritën. Ndërsa, sa i përket numrit të vogël të inspektorëve të AUV-it, kërkoi nga qeveria që ta mbështesë këtë kërkesë të kësaj agjencie.

Arbër Rexhaj, nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se skandali i mishit të skaduar është alarmant dhe se ky skandal prek drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve tanë.

"Qytetarët tanë kanë konsumuar 12 vjet mish të vjetër dhe ky është krim. Krimi duhet të ndëshkohet", tha Rexhaj, duke shtuar se nuk kemi asnjë siguri se tregu ynë është i sigurtë as sot. Ndërsa, në vijim përmendi edhe dyshimet që duhet pasur në produkte tjera ushqimore.

Salih Salihu, nga GP i GDP-së, duke folur edhe në cilësinë e parashtruesit të kërkesës për debat, tha se për të gjitha produktet ushqimore gjatë importeve në Kosovë obligohet Agjencia që ta kontrollojë cilësinë dhe higjienën, mirëpo, sipas tij, kjo nuk është duke ndodhur. Kjo, sipas Salihut, është tejet shqetësuese për shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

"Kosova po importon sasi të ushqimit që janë jashtë çdo norme dhe se vendi ynë është bërë poligon i futjes se mallrave që rrezikojnë jetën e qytetarëve", tha deputeti Salihu, duke shtuar se Agjencia nuk arriti ta kryejë detyrën e vet sipas ligjit. Ai tha se edhe 17 vjet pas themelimit, AUV detyrohet t'i dërgojë mostrat për analiza jashtë vendit dhe kjo sipas tij ka kosto shtesë. Pasi përmendi disa nga skandalet tjera, siç i quajti ai, të produkteve dhe llojeve të ndryshme ushqimore, theksoi se hyjnë pa asnjë analizë dhe pa ndonjë kontroll nga AUV. Sipas Salihut, nga Veviba, në tregun e Kosovës ka hyrë mbi 40 mijë kilogram mish i prishur. "Është e papranueshme që pas këtyre skandaleve të mos ketë asnjë reagim nga qeveria', tha deputeti Salihu, duke kërkuar njëherazi shkarkimin e bordit dhe menaxhmentit të AUV.

Në vijim foli edhe Daut Haradinaj nga GP i AAK-së. Në fillim të diskutimit të tij, ai vlerësoi se në 33 komuna të Kosovës, janë vetëm 11 inspektorë dhe kjo sipas tij nuk është gjendje e mirë. Lidhur me këto skandale, për të cilat vlerësoi se ka një rrjet të organizuar, ai tha se ka raste të shumta tashmë që po hetohen dhe lëndët janë në prokurori. Ai propozoi që të bëhet një draft-propozim, të nxirret një rezolutë lidhur me këtë çështje dhe të obligohen institucionet adekuate që të ndërmarrin masa konkrete në këtë drejtim. Ndërsa, kërkoi tutje që të krijohet edhe një komision hetimor parlamentar për të hetuar këto fakte dhe më pas të sillen në Kuvend.
Zafir Berisha, nga GP Nisma, theksoi konsumimi i ushqimit me afat të skaduar shkakton sëmundje kancerogjene dhe se të gjitha shqetësimet që ai pati ngritur në të kaluarën kanë hasur në vesh të shurdhër. Ndërsa, sa i përket importuesve, Berisha shfaqi dyshimet e tij se ata janë të lidhur direkt me persona përgjegjës në institucione. Ai kërkoi nga Instituti i Shëndetit Publik që të dalë me të dhëna të sakta lidhur me sëmundjet që vijnë nga produktet me afat të skaduar dhe për ato të dyshimta.

Deputetët gjatë këtij debati pasi shprehën shqetësime të ndryshime lidhur me mishin me afat të skaduar në Kosovë, si dhe për cilësinë e produkteve të tjera ushqimore dhe për barnat.

U vlerësua mes tjerash se konsumatorët në vendin tonë janë plotësisht të pambrojtur, ndërsa theksuan nevojën e ndryshimit të Ligjit për ushqim.
Propozuesja e debatit, Ganimete Musliu, falënderoj të gjithë debutuesit duke i ftuar të gjitha grupet parlamentare për harmonizim të rekomandimeve.

Seanca ka vazhduar me debatin parlamentar të radhës, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, e mbështetur edhe nga 11 deputetë nënshkrues, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave.

Deputetja Pantina, në fjalën e saj, tha se Kosova është i vetmi vend në rajon pa liberalizim të vizave, ndërsa bëri thirrje thirrje që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Pasojat e korrupsionit, si një e keqe e madhe, theksoi ajo, i bartin të gjithë qytetarët e Kosovës. Sipas deputetes Pantina, Kuvendi duhet të marrë përgjegjësi duke i ftuar të gjithë akterët për të dhënë rekomandimet dhe propozimet e tyre, në mënyrë që me pas tu paraqiten organeve përgjegjëse.

Armend Zemaj nga GP i LDK-së, tha se rekomandimet e Komisionit Evropian, nga publikim i raportit, rezultojnë se si vend Kosova ende ka ngecje në luftimin e korrupsionit, i cili. Zemaj konsideroi se Kuvendi të rezultojë me rekomandime dhe propozime konkrete e jo vetëm me debate.

Nga GP i PDK-së, kryetari Memli Krasniqi tha se qeveria është duke punuar me përkushtim në evidentimin e të gjitha pengesave që vështirësojnë arritjen e rezultateve. Krasniqi theksoi se Ministria e Drejtësisë ka bërë reforma me pakon e ligjeve anti- korrupsion.

Albulena Haxhiu nga LVV, tha se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet ende çështje shumë shqetësuese. Ajo tha se nuk është parë asnjë rezultat konkret në luftimin e këtyre dy fenomeneve, as nga qeveritë e kaluara epo ashtu, as me qeverisjen aktuale. Haxhiu e konsideroi sistemin e drejtësisë të ngulfatur.

Shqetësimin përkitazi me nivelin e krimit të organizuar dhe të korrupsionin në Kosovë, në emër të GPD-së, e paraqiti deputeti Dardan Molliqaj.

Ahmet Isufi nga AAK, tha se duhet të insistohet që pakoja ligjore dhe institucionet përgjegjëse ta kryejnë funksionin e tyre, në mënyrë që mos të lejohet hapësirë që të diskutohet për krimin e organizuar. Ai foli për liberalizimin e vizave dhe konsideroi se Kosovës i është bërë e padrejtë me kriteret e përcaktuara.

Nga GP i NISMA-s, deputeti Milaim Zeka propozoi që gjatë takimeve me zyrtarë ndërkombëtarë, tu tregohet, sipas tij, se të korruptuarit kryesorë kanë qenë UNMIK-u dhe EULEX-i. Gjatë fjalës së tij, Zeka kërkoi reformim radikal të sistemit te drejtësisë.

Pas deklarimeve të deputetëve, para foltores doli ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili tha se institucionet e drejtësisë janë mobilizuar si kurrë më parë për plotësimin e kushtit për luftimin e korrupsionit. Ai tha se ne kuadër të ERA-s, për Ministrinë e Drejtësisë kanë qenë të përcaktuara tri obligime.

Sipas ministrit Tahiri, është kërkuar amendamentimi i Ligjit për prokurorin e shtetit, i cili është miratuar nga Kuvendi dhe ndryshimet që janë bërë, sipas tij, do të mundësojnë efikasitet më të madhnë punën e Prokurorisë Speciale të Kosovë. E dyta, shtoi ministri, ka qenë hartimi i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Sipas ministrit, miratimi i këtyre dy ligjeve dhe përfshirja e koncept dokumentit në kodin e ri penal, shënon përmbushjen e obligimeve të MD-së në raport me Agjendën e Reformave Evropiane.

Ministri Tahiri shtoi se me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, MD-ja ka identifikuar edhe masat tjera legjislative që ndikojnë në këtë drejtim.

Lidhur me temën, kanë diskutuar edhe deputetë të tjerë të Kuvendit.

Seanca, ndërkaq, ka vazhduar me debatin parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 5 deputetë nënshkrues, në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë.

Deputetja Teuta Haxhiu, në fjalën e saj, para deputetëve theksoi rrezikun që paraqet për fëmijët përdorimi i pamonitoruar i internetit nga ana e tyre. Ajo përmendi se rreziku vjen nga përdorimi i internetit tek fëmijët privatisht në dhomat e tyre, pa monitorimin e prindërve apo mësuesve.

Shqetësimin e tyre e lidhur më këtë problematikë e paraqitën edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare: në emër të GP të LDK-së, Valentina Bunjaku, në emër të GP të PDK-së, Mexhide Mjaku-Topalli, ndërsa nga LVV, Ismajl Kurteshi.

Lidhur më këtë temë folën edhe deputet tjerë të cilët kërkuan që të mbahen trajnime vetëdijësuese nëpër shkolla. Po ashtu nga folësit u propozua që kjo çështje të rregullohet me amendamentimin e Ligjin për të Drejtat e Fëmijëve.

Në fund të diskutimeve, inicuesja e këtij debati, deputetja Haxhiu, paraqiti disa rekomandime, të cilat në mungesë të kuorumit nuk u hodhën në votim.

Kryesuesi i seancës, nënkryetari Haliti bëri të ditur se lidhur me pikat e tjera të rendit të ditës, do të vendosë Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e saj të ardhshme.