Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt tryezë për Cilësinë e bukës në Kosovë

18.03.2015

Me iniciativë të deputetit Salih Salihu dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit, është mbajtur sot tryeza për "Cilësinë e bukës në Kosovë".

Drejtori i Drejtorisë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit, Arben Loshi, prezantoi hulumtimin lidhur me bazën ligjore të disa vendeve të rajonit, e cila rregullon dhe përcakton cilësinë e miellit në këto vende.

Në mënyrë të veçantë, Loshi foli për ligjin përkatës të Republikës së Shqipërisë, duke shpalosur hollësi lidhur me kontrollin zyrtar për cilësinë e ushqimit në të gjitha fazat e prodhimit dhe të shpërndarjes.

Po ashtu, Loshi foli edhe për kornizën ligjore në Republikën e Kosovës.

"Në Republikën e Kosovës, korniza ligjore që ka të bëjë me miellin është Ligji nr. 04/L-114 për pasurimin e miellit, i cili përcakton rregullat që zbatohen për pasurimin e miellit, si mënyra që kanë për qëllim parandalimin dhe reduktimin e sëmundjeve që shkaktohen nga mungesa e hekurit dhe acidit folik", tha Loshi.

Ai shtoi se paketimi i miellit duhet të bëhet sipas rregullave që sigurojnë ruajtjen e vitaminave dhe mineraleve, sipas standardeve ndërkombëtare.

Salih Salihu, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, tha se përveç mishit si produkt i rëndësishëm në tryezën e ushqimit, rol të rëndësishëm dhe esencial për qytetarët e vendit është edhe buka si artikull i përditshëm në tryeza familjare. Ai tha se vendet e varfra bukën e kanë artikullin më të rëndësishëm ditor për nevoja për ushqim.

"Buka e bardhë në vendet perëndimore është duke u zëvendësuar me bukën e zezë. Në fakt buka është duke u larguar në përgjithësi nga tryeza dhe duke u zëvendësuar me të tjera produkte si orizi, patatja etj.", tha Salihu.

Salihu tha se Kosova ka nevojë për 400 mijë tonë miell në vit, sepse, sipas tij, një njeri me moshë madhore në vit shpenzon 350 deri në 400 bukë, ose 1 deri në 2 bukë në ditë.

Salihu shtoi se në Kosovë nuk ka standard se sa duhet të peshojë buka apo se në çfarë sasie duhet të ketë aditiv.

"Ligji për aditiv ekziston, por nuk është duke u zbatuar, sepse nuk është marrë askush me të. Nuk është e precizuar se sa aditiv duhet të shpenzohet dhe për këtë është përgjegjës Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë", tha Salihu.

Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, tha se duhet të mbështetet iniciativa ligjore për të pasur cilësi të ushqimit dhe se, sipas tij, AVUK duhet të jetë më i kujdesshëm në zbatimin e ligjit.

"Nuk është qëllimi që të dëmtohen prodhuesit e grurit, sepse asnjë deputet nuk është i interesuar ta bëjë këtë. Ligji është për të mirën e përbashkët dhe ne duam t'ju mbështesim për ta rritur cilësinë, por ne nuk jemi të kënaqur deri më tani në ketë aspekt", tha Haradinaj.

Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, tha se Kosova ka traditë të bluarjes së miellit dhe se për momentin janë 40 mullinj të cilët kanë kapacitet të lartë.

Farizi shtoi se gruri kur të vjen në mulli tatimohet në emër të bujkut me 3 për qind dhe kjo shfaqet si problem për ta, pasi që, sipas tij, mullisi është i detyruar t'i ndajë 3 për qind dhe t'ia paguajë shtetit.

Ai foli edhe për pengesat që hasin prodhuesit e miellit në Kosovë me vendet fqinje.