Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian

15.12.2022

- E nderuara Presidente Osmani-Sadriu,

- I nderuari Kryeministër Kurti,

- Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

-Të nderuara medie,

 

Sot, në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim të nënshkruajmë letër kërkesën në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

 

Më lejoni të filloj këtu duke cituar z. Jean Monnet, një vizionar i njohur politik dhe diplomat francez i përkushtuar ndaj kauzës së integrimit evropian, i cili tha "Nuk ka të ardhme për njerëzit e Evropës, përveçse nëpërmjet bashkimit."

 

Bashkimi Evropian është me të vërtetë i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi. Për këtë arsye, sot po nënshkruajmë kërkesën zyrtare që do të nisë një proces anëtarësimi dhe integrimi të Kosovës në Bashkimin Evropian.

 

Për Kosovën dhe gjithë rajonin, anëtarësimi në këtë Union është i rëndësisë së veçantë. Union i cili ofron stabilitet, demokraci, siguri dhe prosperitet zhvillimor, ku respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, konkurrenca e ndershme dhe lëvizja e lirë e punëtorëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit janë në thelbin e saj.

 

Një Union i cili stimulon rritjen ekonomike, ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe mirëqenies dhe na mbështet në rritjen e tregut dhe kërkesës sonë të brendshme, duke përfshirë qasjen për 450 milionë konsumatorë.

 

Zonja dhe zotërinj, ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit në BE, një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë.

 

Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian, nga i cili presim të rekomandojë që BE-ja t'i japë këtë status Kosovës, por ku vendimi i takon qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht për të dhënë miratimin e tyre.

 

Republika e Kosovës ka kushtetutën dhe legjislacionin e saj, të hartuara në përputhje me legjislacion (acquis) të BE-së dhe kjo është pjesë vitale e kontributit afatgjatë të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të përafruar procesin e integrimit të Kosovës në BE.

 

Prandaj ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në BE, një fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë rekord.

 

Marrja e statusit kandidat ka peshë të konsiderueshme dhe me të drejtë konsiderohet vula e parë e miratimit të perspektivës evropiane.

 

Për këtë arsye, ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që të demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe në këtë mënyrë të na inkurajojnë të gjithëve që të ndërmarrim reformat e nevojshme për përparimin e Kosovës, reforma të cilat e kanë kuptimin e interesit për qytetarët e Kosovës dhe jo thjesht për politikanët dhe zyrtarët publik, ashtu që ta forcojnë sigurinë në Evropë dhe ta mundësojmë së bashku zhvillimin ekonomik dhe bashkimin e kontinentit tonë.

 

Ju faleminderit!