Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po marrin pjesë në punimet dy ditore të Plenumit Parlamentar të Sekretariatit të Energjisë, i cili po mbahet në Parlamentin Evropian në Bruksel

18.05.2022

Punimet e këtij plenumi dy ditor i hapi Kryesuesi i Komisionit për Industri dhe Energji nga Parlamenti Evropian, deputeti Cristian-Silvu Busol, pasuar nga Komisionerja e BE-së për Energji, Kadri Simson. 

Sesionit iu drejtua edhe Andreiy Gerus, udhëheqësi i Komitetit për Energji, banim dhe shërbime publike nga Parlamenti i Ukrainës.

Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, prezentoj Mimoza Kusari – Lila,  në pikën e rendit të ditës: Shkëmbimi i vështrimeve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. 

Kusari – Lili, tha se sfida e Kosovës mbetet diversifikimi i burimeve të energjisë, mbulimi i kërkesës me energji të përballueshme gjatë pikut të kërkesës në dimër, investimi në burime të ripërtritshme, si dhe, kthimi i normalitetit në Veri të vendit.

Nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë u kërkua krijimin e mekanizmit për vendosjen e çmimit tavan në kohën e ngritjes enorme të çmimeve dhe angazhim në hapje të rastit kundër Serbisë për pengim të shfrytëzimit të rrjetit të interkoneksionit Kosovë - Serbi nga TSO-ja Serbe. 

Parlamentarët Evropianë dhe ata të parlamenteve nacionale të rajonit, u informuan për projektet e reja në energjinë e ripërtritshme në Kosovë, synimet e shtetit në dekarbonizim dhe përgatitjet për strategjinë e re në përputhje me planin kombëtar për energji dhe klimë.

Kosova mbetet e përkushtuar në realizmin e caqeve që dalin nga Marrëveshja e Gjelbër e Evropës në përputhje edhe me caqet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Kuvendin e Republikës së Kosovës po e përfaqsojnë kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, dhe Mimoza Kusari – Lila, anëtare e këtij komisionit, njëkohësisht dhe anëtarë të Plenumit Parlamentar të Komunitetit të Energjisë.