Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

20.04.2021

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën udhëheqjen e kryetarit Ferat Shala, mbajti mbledhjen e radhës, duke proceduar me pikat e parapara për rend dite. 

Në këtë takim, unanimisht u votua pro fushëveprimtarisë së komisionit, të cilës me propozimin e kryetarit Shala, iu shtua monitorimi në fushën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, fushë kjo e cila do të trajtohet nga komisioni si pikë e një rëndësie të veçantë.

Më pas, nga anëtarët e komisionit u diskutuan kërkesat e KOSTT-it dhe ndërmarrjes Kosova Thëngjilli, adresuar këtij komisioni, me ç’rast, u mor vendim që në takimet e ardhshme të ftohen në takim përfaqësues nga këto dy kompani, së bashku me ministren e Ministrisë së Ekonomisë. 

Sipas anëtarëve të këtij komisioni, një takim i tillë do të ndihmojnë që kërkesat e tyre të shtjellohen hollësisht dhe ministria përkatëse të adresojë tutje nevojat e tyre.

Po ashtu, nga komisioni u vendos që javën e ardhshme të ftohet në takim edhe Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për të parë tutje se ku ka mbetur procesi i privatizimit në vend.

E meqenëse u shfaq si shqetësim edhe çështja e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, anëtarët e komisionit u dakorduan që ta bëjnë një vizitë te ky instucion.