Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisoni për Arsim organizoi tryezën e diskutimit “Prej politikave në praktikë: Shqyrtimi i progresit në arsim të lartë dhe shkencë”

17.04.2024

Nën drejtimin e kryetarit Ardian Gola, Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, së bashku me organizatën Edutask, organizoi sot në Prishtinë tryezën e diskutimit “Prej politikave në praktikë: Shqyrtimi i progresit në arsim të lartë dhe shkencë”.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm anëtarë të komisionit, drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përfaqësues nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, rektorë dhe prorektorë të universiteteve publike në Kosovë, përfaqësues nga Edutask etj.

Debati lidhur me temën e diskutimit u shtrua në katër çështje: progresi i zbatimit të Ligjit për Akreditim, financimi i bazuar në performancë, strategjia e specializimit të mençur dhe financimi, masat dhe përkrahja për kërkim dhe inovacion, me synimin që ky diskutim të kontribuojë në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Të pranishmit paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me pikat e diskutimit, duke vënë theksin mbi problematikat dhe sfidat aktuale në sferën e arsimit të lartë dhe në shkencë, si dhe te mundësitë për zgjidhjen e tyre në funksion të arritjes së një niveli më të lartë arsimor sa i përket cilësisë.