Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi mbajti seancën e parë për sesionin vjeshtor

20.09.2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryekuvendarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancën plenare, e para kjo e sesionit vjeshtor.

Seanca filloi punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve, drejtuar kabinetit qeveritar.

Me përfundimin e kohës së paraparë për deklarime jashtë rendit të ditës, për t’u dhënë përgjigje për disa nga çështjet e ngritura nga deputetët, fjalën e mori kryeministri Albin Kurti. 

Referuar zhvillimeve të fundit, përkatësisht reciprocitetit të targave të automjeteve në veri të Kosovës, kryeministri Kurti, ndër të tjera tha se sot po fillon zbatimi i një marrëveshjeje, për të cilën, siç tha ai, është pajtuar edhe Serbia, me ndihmën e Bashkimit Evropian. Liria e lëvizjes, shtoi kryeministri Kurti, përveç që është e drejtë njerëzore e civile, po ashtu është edhe vlerë evropiane. 

Kuvendi vijoi punimet e kësaj seanca me shqyrtimin e dy projektligjeve në lexim të parë. Kështu, Kuvendi miratoi Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit.

Paraprakisht, këto projektligje i prezantoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa rekomandimet e komisionit funksional për miratimin e tyre, i paraqiti deputeti Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. 

Projektligjeve u dhanë mbështetje GP i VV-së, GP i PDK-së dhe ai i LDK-së.  

Në fund, deputetët e pranishëm në seancë, votuan për formimin e komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptar dhe një anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së.