Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi mbajti seancën plenare të radhës

29.09.2022

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë të re plenare. 

Pasi ngritën një varg çështjesh nga situata aktuale në vend, deputetët adresuan pyetje për anëtarët e kabinetit qeveritar. 

Seanca vijoi me propozimin e mocionit nga kryetarja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, për futjen në rend dite të vendimit të qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizim me energji.  

Në emër të GP të PDK-së deputeti Ferat Shala kundërshtoi propozimin, ndërsa deputeti Driton Selmanaj paraqiti qëndrimin abstenues të GP të LDK-së. 

Tutje Kuvendi futi në rend ditë edhe këtë pikë. 

Në emër të ekzekutivit, vendimin e paraqiti dhe arsyetoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke u hapur rrugë kështu paraqitjes së qëndrimeve nga grupet parlamentare. 

Pas procesit të votimit, kryetari i Kuvendit bëri të ditur se me 58 deputetë që votuan, mungon kuourimi i mjaftueshëm për për vendimmarrje. 

Duke hyrë në agjendën legjislative të punës, Kuvendi shqyrtoi për herë të parë Projektligjin për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut, të cilin para deputetëve e prezantoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Ceku, ndërkaq, prezantoi Projektligjin për Anti dopingun. 

Pas diskutimeve, të dy këto projektligje u miratuan në shqyrtim të parë nga Kuvendi, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tyre në komisione parlamentare. 

Për Projektligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme, ndërkaq, të cilin e prezantoi ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, nuk pati kuorum për vendimmarrje. 

Në këtë rrethana Kuvendi ndërpreu punimet, për t’i vazhduar të hënën.