Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

21.06.2021

Sot, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, kryesuar nga Duda Balje, kryetare, mbajti mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje, për të prezantuar punën e tyre shumë vjeçare në Kosovë, si dhe për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, të pranishëm ishin përfaqësues nga UNHCR-ja, në krye me z. Erol Arduç, Shef të misionit të UNHCR-së në Kosovë.

Z. Arduç shprehu falënderimin e tij për të gjithë ekipin punues në Kosovë, për frymën bashkëpunuese dhe pozitive, frymë e cila, sipas tij, e ka përcjellë atë për tre vite me radhë, që nga koha e angazhimit në këtë mision.

Tutje, Arduç shpalosi punën 20 vjeçare të UNHCR-së në Kosovë, e cila ka të bëjë me kujdesin ndaj azil-kërkuesve, e cila deri tani ka arritur të sigurojë dy lokacione kyçe, në fshatin Magurë dhe Vranidoll, të cilat funksionojnë si qendra për kujdesin ndaj refugjatëve.

Më pas, anëtarët e komisionit, duke i falënderuar për pjesëmarrjen e tyre në këtë mbledhje, parashtruan disa pyetje, të cilat ndër të tjera, kishin të bënin me aspektin shëndetësor dhe edukativ të fëmijëve të regjistruar si azil-kërkues. 

Tutje, sa i përket aspektit shëndetësor dhe atij edukativo-arsimor, Arduç shprehu mirënjohje për institucionet vendore, për bashkëpunimin dhe kujdesin ndaj refugjatëve. Ai tha se që nga momenti i regjistrimit si azil-kërkues, çdo fëmijë është përfshirë në shkollat e rregullta si çdo fëmijë tjetër.

Mbledhja e komisionit u përmbyll me dakordimin e anëtarëve të komisionit për realizimin e një vizite më datën 23.06.2021, në qendrën e kujdesit të azil-kërkuesve në Magurë.