Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryesuesi i delegacionit të Përhershëm të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, deputeti Dimal Basha, po merr pjesë në Konferencën e Presidentëve të Rajonit të Evropës në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë 

19.03.2024

Me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Republikës së Moldavisë, Igor Grosu, kryesuesi i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë (APF), deputeti Dimal Basha, po merr pjesë në Konferencën e Presidentëve të Rajonit të Evropës në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), e cila po mbahet në Parlamentin e Moldavisë në Kishinëv.

Gjatë këtij takimi, para delegacioneve të APF-së, kryesuesi Basha, sot prezantoi temën dhe programin e përgatitjes së Asamblesë së XXXVI rajonale të Evropës në APF, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), e cila do të mbahet për herë të parë në Prishtinë nga data 10 deri me 14 nëntor 2024. 

Në prezantimin e tij, në këtë konferencë, Basha ndër të tjera theksoi rolin e APF-së në tejkalimin e dallimeve dhe promovimin e dialogut në mes të vendeve, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e ndërsjellë në të ardhmen.

Prezantimi i detajeve për programin e Asamblesë Rajonale të APF-së, planifikuar të mbahet në nëntorin e këtij viti u bë, duke përfshirë temën dhe vizitën kulturore që do ta organizojë Kuvendi për mysafirët me 11 nëntor. Kurse me 12 dhe 13 nëntor në sallën plenare do të trajtohet tema “Beteja kundër luftës hibride”, temë kjo që u miratua njëzëri nga delegacionet pjesëmarrëse dhe që do të trajtohet në tri panele të ndryshme nga ekspertë të ndryshëm evropianë.

Në fund të fjalës së tij, kryesuesi Basha, shprehu gatishmërinë për të mirëpritur kolegët nga e gjithë Evropa dhe falënderoi delegacionet pjesëmarrëse për votim dhe për mundësinë e bashkëpunimit në kuadër të APF-së.

Gjatë kësaj konference, pjesëmarrësit gjithashtu diskutuan lidhur me  bashkëpunimin në zonën Frankofone, luftën kundër dezinformimit; evoluimin e situatës politike në zonën Frankofone, ndikimin e luftës në Ukrainë dhe mënyrën se si reagon BE ndaj ndërhyrjeve nga jashtë, si dhe u prezantua një raport mbi gjendjen dhe praninë aktuale të frankofonëve në Moldavi.

Konferencës së Presidentëve të Rajonit të Evropës në kuadër të APF-së i parapriu një seminar për forcimin e kapaciteteve të parlamentarëve në luftën kundër dezinformimit dhe lajmeve të rreme.