Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar

28.03.2023

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, takoi sot Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
 
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. 
 
Kryetari Glauk Konjufca ritheksoi qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. 
 
Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe Ndihmës Sekretari amerikan theksuan rëndësinë e vazhdimit të punës për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Gjatë ditës së sotme, kryetari Glauk Konjufca pritet të takohet edhe me kongresistin Ritchie Torres dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.