Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e disa seancave plenare

28.03.2024

Pas seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi vazhdoi sot punimet nga seancat plenare të muajit shkurt dhe mars, me disa nga pikat e mbetura.

Seanca vazhdoi me votimin në lexim të dytë të Projektligjit për verëra, për të cilin nuk pati vendimmarrje dhe e njëjta pikë kalon në një seanca tjetër. Tutje Kuvendi shqyrtoi në lexim të parë Projektligjin për shpronësimin e pronës së paluajtshme, prezantimin e të cilit e bëri ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu. Pas prezantimit, projektligji u hodh në votim, por për të njëjtin nuk pati kuorum dhe rrjedhimisht shtyhet për një seancë tjetër.

Me shumicë votash ndërkaq Kuvendi në parim Projektligjin për rrugët, ndërsa shqyrtoi në lexim të parë Projektligjin për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave. Këtë projektligj e prezantoi dhe arsyetoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Projektligji mori votat e shumicës së deputetëve të pranishëm.

Kuvendi vijoi me pikat tjera sipas agjendës, në të cilën ishte paraparë votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, e cili u shty për një seancë tjetër në mungesë të vendimmarrjes, sikurse edhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022, i cili mori shumicën e votave.

Ligjvënësit po ashtu shqyrtuan dhe miratuan raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022, Projektrezolutën për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022, raportin me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, rekomandimet nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për farërat, rekomandimet nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit pasurimin e miellit dhe rekomandimet për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 - 2021”.

Për shkak të mungesës së kuorumit Kuvendi shtyu për seancën e radhës votimin në lexim të dytë të Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, si dhe votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Seanca vijoi punimet me votimin e raundit të dytë për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar. Pas votimit të fshehtë u konstatua se asnjëri nga kandidatët, Albinot Hamiti dhe Albinot Maloku, nuk morën votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i Bordit dhe për këtë pozitë do të përsëritet konkursi.

Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi rezolutën për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022 dhe rezolutën për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022, ndërsa projektrezoluta për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës u shty për një seancë tjetër.  

Kuvendi me 60 vota kundër dhe një abstenim votoi kundër propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.